AktualitetBota+Të fundit

Rreth 14 të vrarë nga një shpërthim afër zyrës së një kandidati, një ditë para zgjedhjeve në Pakistan

Një bombë ka shpërthyer pranë një zyre të një kandidati të pavarur në jugperëndim të Pakistanit të mërkurën, një ditë para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, duke i vrarë së paku 14 njerëz dhe duke i lënduar dhjetëra të tjerë, njoftuan zyrtarët.

Sulmi ndodhi në Pashin, një qark në provincën Baluchistan, tha Jan Achakzai, zëdhënës i Qeverisë provinciale. Ai shtoi se të lënduarit po dërgohen në një spital të afërt dhe policia tha se disa prej tyre janë në gjendje kritike.

Pakistani mban zgjedhje në një kohë kur sulmet militante janë në rritje dhe pas burgosjes së Imran Khan, fituesit të zgjedhjeve të fundit nacionale, i cili i ka mbizotëruar ballinat, pavarësisht krizës ekonomike dhe hallet me të cilat përballet vendi i armatosur me armë bërthamore.

Askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin deri tani. Disa grupe, përfshirë militantët islamistë të grupit taliban pakistanez dhe grupet separatiste nga Balochistan, e kundërshtojnë shtetin pakistanez dhe kanë kryer sulme në këtë vend muajt e fundit.

Khan – ish-kryeministri i burgosur – ditë më parë u bëri thirrje mbështetësve të vet të presin pranë qendrave të votimit pasi të kenë votuar.

Grumbullimi i madh i mbështetësve të Khanit te qendrat e votimit mund t’i rrisë tensionet, për shkak të asaj që ata e cilësojnë si një luftë të mbështetur nga ushtria kundër Khanit dhe partisë së tij, e cila ia ka kufizuar fushatën asaj. Ushtria e ka mohuar përfshirjen në politikë./rel

 

Fraksion.com