Kosova pajtohet: Periudhë kalimtare për dinarin serb
Kryeministri iKosovës Albin Kurti, mori parasysh shqetësimet dhe kritikat e komunitetit ndërkombëtar dhe u pajtua siç tha se “është e nevojshme një periudhë kalimtare për të sqaruar dhe shmangur paqartësitë”, rreth rregullores së Bankës Qendrore, që ndalon përdorimin e dinarit serb në Kosovë. Në një deklaratë për medie, kryeministri Kurti tha se “e kupton se mënyra se si kjo çështje është komunikuar mund të ishte më e qartë, për të shmangur konfuzionin”.
“Mënyra se si është komunikuar mund të ishte më e qartë”
“Ne e kuptojmë se mënyra se si kjo çështje është komunikuar mund të ishte më e qartë, për të shmangur konfuzionin. Megjithëse rregullorja hyri në fuqi më 1 shkurt, e kuptojmë se një periudhë tranzicioni është e nevojshme. Gjatë këtij muaji, do të sigurohemi që të japim të gjitha informacionet dhe të gjithë ndihmën e nevojshme që ky tranzicion të jetë sa më i lehtë që të jetë e mundur”.Kurti tha më tej në deklaratë me shkrim se “tash e tutje, zotohemi po ashtu që të promovojmë fushata të komunikimit që adresojnë këto çështje me ndjeshmërinë që e meritojnë”.
Me 1 shkurt hyri në fuqi një vendim i Bankës Qendrore të Kosovës, që përcakton se euro është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë. Ky vendim nxiti reagim të ashpër të Serbisë, të cilët për vendimin e BQK-së, thanë se “qëllimi është përndjekja e serbëve të Kosovës”, të cilët marrin pagat dhe pensionet nga Serbia në dinarë.
Kurti:”rregullorja e BQK-nuk është kundër dinarit serb”
Kryeministri Kurti nga ana e tij i hedh poshtë këto pretendime, duke përsëritur se “rregullorja e BQK-së për operacione me para të gatshme nuk është kundër dinarit serb”.
“Ndryshimi gjithmonë sjell vështirësi, edhe nëse ndryshimet forcojnë demokracinë. Por një periudhë tranzicioni kurrë nuk duhet të keqinterpretohet si sulm apo ndarje e thelluar. Dhe pasiguria e shkurtër, që haset gjatë kësaj periudhe nuk duhet të shfrytëzohet për përfitim politik. Kjo periudhë ndryshimi bëhet më e vështirë jo përmes zërave të komunitetit serb këtu, por përmes nxitjes së frikësimit, kur ne, në fakt, do të duhej të ushtronim maturi dhe qetësi”, tha Kurti.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, kritikuan Kosovën për miratimin e rregullores së BQK-së, pa konsultime paraprake dhe kërkuan me ngulm, që Kosova të shtyjë zbatimin e këtij vendimi. Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, i cili ishte më i zëshmi në këtë çështje, tha se “ne kemi shqetësime të thella për mënyrën e zbatimit të kësaj rregulloreje, pasi besojmë se nuk i merr parasysh disa shqetësime të komuniteteve”.
Autoritetet ndërkombëtare thanë se zbatimi i vendimit të Bankës Qendrore mund të nxisë tensione të reja dhe sipas ambasadorit amerikan Jeff Hovenier, “çështja me dinarin serb ka nxjerrë në pah urgjencën për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”.
Serbët e Kosovës që nga paslufta përdorin dinarin i Serbisë, përmes një sistemi paralel, për paga, pensione, ndihma sociale, dhe përfitime të tjera. Sipas Listës Srpska, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, me ndalimin e përdorimit të dinarit serb do të preken afro 100.000 serbë të Kosovës./DW
Fraksion.com