AktualitetRajoniTë fundit

Serbi: Në seancën e parë parlamentare priten protesta

Shoqëruar nga akuza të opozitës dhe kritika ndërkombëtare për manipulimin e zgjedhjeve në Beograd mblidhet parlamenti i ri.

Fjala është për votues, të cilët sipas akuzave, kanë qenë të regjistruar në adresa fiktive në qytete të ndryshme në Serbi për të votuar Partinë Progresive Serbe në vendet ku në fakt favorizohej opozita.

Në Beograd janë dokumentuar sipas ankesës në Gjykatën Kushtetuese rreth 3000 incidente të tilla. Dhe kjo është vetëm maja e ajsbergut. “Edhe pa këtë zhvendosje të votuesve zgjedhjet në Serbi nuk kanë qenë të drejta dhe demokratike”, thotë politologu Dushan Spasojeviç për DW.

“Zgjedhjet më të pastra”

Aleksandar Vuçiç qeveris prej dymbëdhjetë vitesh me dorë të hekurt, duke kontrolluar drejtësinë dhe mediat kryesore. Para zgjedhjeve ai shpërndau me bujari dhurata në para për pensionistët, studentët dhe nënat e reja. Përveç kësaj partia e tij ndan vende pune në sektorin publik sipas teserës të partisë, dhe siguron kështu mbështetjen e përkrahësve të tij. Disa anëtarë partie me ndikim, miq të Vuçiçit, dhe njerëz të biznesit, të afërt me të, janë pasuruar kështu prej vitesh.

Gjeopolitikisht presidenti serb luhatet vazhdimisht mes Rusisë dhe BE. Edhe me Kinën ai mban marrëdhënie të shkëlqyera dhe në televizionet serbe prezantohet si burrë i madh shteti. Kështu në zgjedhjet e dhjetorit ai mundi t’i sigurojë sërish partisë së tij shumicën absolute në parlament. Por në Beograd, në qendrën ekonomike të vendit, ku popullata urbane dhe e arsimuar më mirë është më fort kritike ndaj qeverisë, partisë së tij dhe partnerëve të saj shumëvjeçarë nga Partia Socialiste, i mungojnë edhe dy deputetë për të bërë shumicën në parlamentin e qytetit. Këto ka gjasë të vijnë nga një lëvizje e re e djathtë populiste.

Javët e fundit në rrugë dolën mijëra vetë për të protestuar kundër manipulimit të zgjedhjeve dhe për të kërkuar zgjedhje të reja. Por Vuçiçi duket se nuk tronditet aspak nga protestat. “Ankesa e opozitës në Gjykatën Kushtetuese dhe kritika ndërkombëtare për rezultatin e zgjedhjeve, janë dirigjuar nga perëndimi, për të destabilizuar Serbinë. Zgjedhjet e fundit kanë qenë më të pastrat, që kur në Serbi kemi sistemin shumëpartiak”, deklaroi ai të premten (02.02.2024). Të gjithë në Evropë e dinë se nuk ka pasur manipulim zgjedhjesh”.

Bojkotim i seancës së parlamentit?

Këtë të martë (06.02.) 250 deputetë mblidhen në seancën e parë parlamentare. Forca më e fuqishme opozitare, aleanca e gjerë proeuropiane “Serbia kundër Dhunës”, që mbledh parti nga spektri i majtë dhe i gjelbër si dhe ai konservator dhe që ka më shumë se 65 mandate, bëri të ditur se dëshiron ta shfrytëzojë seancën e parë për protesta. Kritika e saj është se Partia Progresive në pushtet e ka thirrur seancën, përpara se Parlamenti Evropian të diskutojë sërish të enjtën (08.02.) për rezultatin e zgjedhjeve në Serbi.

Edhe raporti i misionit vëzhgues të OSBE-së pritet me padurim. Në deklaratat e para të vëzhguesve të zgjedhjeve u vunë disa herë në pah raste manipulimi, blerjeje të votave dhe dominimit mediatik të zgjedhjeve nga Vuçiçi, gjë kjo e pakapërcyeshme për opozitën.

Prandaj Partia Demokratike, ish-aleate në qeverisje, e cila bën pjesë në aleancën Serbia kundër Dhunës, dëshiron ta bojkotojë tërësisht seancën parlamentare.

“Prej javësh u bëjmë thirrje qytetarëve për protesta, kërkojmë nga Gjykata Kushtetuese t’i anulojë zgjedhjet dhe nga BE të mos i pranojë rezultatet dhe që të na mbështesë për të organizuar zgjedhje të reja, të lira dhe të ndershme”, thotë për DW, Zoran Lutovac, kryetar i Partisë Demokratike. “Pjesëmarrja në seancën e parë parlamentare do të dërgonte një mesazh të keq për të gjithë”.

Kritikë edhe nga Gjermania

Që nga votimet në dhjetor disa vëzhgues zgjedhorë si dhe disa anëtarë të Parlamentit Evropian dhe të Bundestagut gjerman kanë bërë thirrje për një hetim të pavarur.

Tre zëdhënës për politikën evropiane të partive pjesëmarrëse në koalicionin qeverisës në Gjermani shprehën kritika të ashpra. Sidomos zgjedhjet për parlamentin e qytetit në Beograd janë manipuluar, aty ku opozita pro-evropiane kishte shanse reale për të fituar. “Ne dyshojmë, që rezultati korrespondon me vullnetin e vërtetë të votuesve”, shkruanin Christian Petry (SPD), Chantal Kopf (Të Gjelbrit) dhe Thomas Hacker (FDP) në mesin e janarit.

Por Partia Progresive Serbe, SNS, ndoshta mund të presë mbështetjen, ose të paktën disa kritika më të moderuara nga radhët e familjes më të madhe partiake të Evropës, Partisë Popullore Evropiane. Sepse SNS është atje prej vitesh anëtare e asociuar. Mundësia që Parlamenti i BE mund të miratojë një rezolutë të ashpër të enjten nuk e shqetëson deputetin e SNS, Vladimir Gjukanoviç. “Të gjithë janë të mirëpritur të diskutojnë zgjedhjet tona, por populli foli në dhjetor dhe kjo është gjëja më e rëndësishme”, thotë ai për DW.

Sipas tij protestat e opozitës janë vetëm një justifikim për humbjen e re në zgjedhje” “Në këtë mënyrë ata shmangin nevojën për t’u shpjeguar votuesve të tyre, pse kanë bërë paraprakisht premtime krejtësisht joreale për fitore”, thotë Gjukanoviç.

Vuçiçi shihet si “stabilokrat”

Për politologun Dushan Spasojeviç nuk është çudi, që SNS dëshiron t’i kthehet normalitetit. “Kështu reagojnë ata prej vitesh ndaj çdo kërkese të opozitës apo ndaj protestave në rrugë. Deri tani injorimi ka funksionuar mirë”.

Megjithëse presioni nga BE-ja mund të rritej, askush nuk pret që Brukseli apo Berlini të refuzojnë zyrtarisht rezultatet e zgjedhjeve. Si i ashtuquajtur “stabilokrat” Vuçiç vazhdon të nevojitet në Ballkanin Perëndimor, dëgjohet shpesh të thuhet pas dyerve të mbyllura në qarqet diplomatike të BE-së.

BE-ja dëshiron të vazhdojë të punojë për afrimin mes Kosovës dhe Serbisë. Shumë në Bruksel e shohin ende Vuçiçin si faktor stabiliteti. Sepse në mes të krizës politike në vend ai aprovoi së fundmi rregulloren që automjetet me targa kosovare të mund të lëvizin tani lirshëm nëpër Serbi.

Shumë e shohin këtë si një lëshim. Dhe megjithë kritikën nga brenda dhe jashtë vendit Partia Progresive e Vuçiçit shpreson se me shumicën komode mund të vazhdojë të qeverisë në Beograd pa u trazuar./DW

 

Fraksion.com