AktualitetBota+Të fundit

Presidenti Zelenskyy: Ja pse do ta shkarkoj komandantin e forcave të armatosura

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se ai po mendon të shkarkojë nga detyra ushtarakun më të lartë të vendit, në kuadër të ndryshimit të udhëheqjes së ushtrisë, një opsion që ka tronditur vendin që po lufton për t’i dhënë fund agresionit rus dhe gjithashtu ka shqetësuar aleatët perëndimorë të Ukrainës.

Në një intervistë që u publikua të dielën në rrjetin televiziv Rai në Itali, zoti Zelenskyy konfirmoi se po mendonte për largimin e gjeneralit Valerii Zaluzhnyi, komandanti i forcave të armatosura të Ukrainës.

Ai tha se po shqyrtonte një vendimmarrje të tillë për të siguruar që vendi të vazhdojë të udhëhiqet nga individë që janë “të bindur për fitoren” kundër Rusisë.

“Një fillim i ri është i nevojshëm,” tha zoti Zelenskyy. Rishikimi “nuk ka të bëjë me një person të vetëm, por me drejtimin e udhëheqjes së vendit”.

“Po e konsideroj zëvendësimin e tij, por nuk mund të them se fjala është për të zëvendësuar vetëm një person,” tha zoti Zelenskyy. “Kur flas për këtë, nënkuptoj ndryshime në një sërë udhëheqësish shtetërorë, jo vetëm në një sektor, si ushtria. Nëse duam të fitojmë, të gjithë duhet të kemi të njëjtin drejtim, të bindur për fitoren. Nuk mund të shkurajohemi, duhet të kemi energjinë e duhur pozitive”, tha zoti Zelenskyy.

Këto komente të zotit Zelenskyy shënojnë herën e parë që ai pranon mundësinë për një shkarkim të mundshëm të gjeneralit Zaluzhnyi.

Një vendim i mundshëm i tillë ka shkaktuar zemërim në Ukrainë dhe nxitur entuziazëm në Kremlin, ndërsa po shënohen afro dy vjet luftime.

Gjenerali Zaluzhnyi gëzon respekt të gjerë në mesin e forcave ushtarake ukrainase dhe konsiderohet një hero kombëtar.

Atij i njihet merita për pengimin të sulmit në shkallë të gjerë nga Rusia gjatë ditëve të para të agresionit, si edhe zmbrapsjen me mjeshtëri të trupave të Moskës.

Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitalii Klitschko kritikoi mundësinë e shkarkimit nga detyra të gjeneralit Zaluzhnyi, duke thënë se falë udhëheqjes së tij “shumë ukrainas u besojnë vërtet forcave të armatosura”.

“Sot është një moment kur politika mund të mbizotërojë mbi arsyen dhe interesat e vendit,” shkroi zoti Klitschko në mediat sociale.

Kryebashkiaku i kryeqytetit të Ukrainës ka qenë një kritik i zëshëm i Presidentit Zelenskyy. Presidenca nga ana e tij e ka akuzuar zyrën e kryebashkikut Klitschko për paaftësi.

Është e paqartë se kush mund të zërë vendin e gjeneralit Zaluzhnyi dhe nëse pasardhësi i tij do të gëzonte të njëjtin respekt nga forcat e Ukrainës dhe nga zyrtarët e huaj të mbrojtjes.

Largimi i tij mund të nxisë rënie të moralit ndërsa lufta është në një moment kritik.

Mediat ukrainase dhe ato perëndimore kanë njoftuar se zoti Zelenskyy i kërkoi zotit Zaluzhnyi të jepte dorëheqjen, javën e kaluar, por gjenerali refuzoi. Vetë gjenerali nuk ka bërë publikisht komente mbi njoftimet në media.

Tensionet mes tij dhe presidentit janë rritur që kurse nisi kundërofensiva ukrainase, në muajin qershor, gjatë të cilës u përdorën armë perëndimore, por nuk u arritën përparime të mëdha në vënien nën kontroll të territoreve të pushtuara nga Rusia, çka zhgënjeu aleatët e Ukrainës.

Ukraina po përballet tani me mungesën e municioneve dhe reduktim të trupave ndërsa Rusia është në ofensivë, duke kryer sulme të njëpasnjëshme.

Katër persona u vranë dhe të paktën një tjetër u plagos, në një sulm të hënën pasdite ndaj qytetit Kherson në jug të Ukrainës, tha kreu i administratës ushtarake lokale.

Nevoja për një mobilizim të gjerë për të rritur numrin e trupave ukrainase thuhet se ka qenë një nga çështjet për të cilat kanë patur mosmarrëveshje Presidenti Zelenskyy dhe gjenerali Zaluzhnyi.

Presidenti Zelenskyy tha në fund të vitit të kaluar se ai kishte refuzuar kërkesën e ushtrisë për të mobilizuar deri në 500,000 njerëz, duke kërkuar më shumë detaje mbi mënyrën e organizimit dhe pagesës së tyre.

Një krisje mes të dyve u shënua fillimisht në vjeshtë kur gjenerali pranoi në një intervistë për gazetën “The Economist” se nuk po përparohej në luftimet me Rusinë. Presidenti e mohoi fuqimisht një gjë të tillë.

Nga ana e tij, gjenerali Zaluzhnyi ka botuar dy shkrime përmes së cilave parashtron idetë e tij se si Ukraina mund ta fitojë luftën. Ai tha se ishte kritike që Ukraina të kishte epërsi ajrore, të krijonte rezerva dhe të rriste aftësitë e luftës elektronike.

Ministrja holandeze e Mbrojtjes Kajsa Ollongren njoftoi të hënën se Holanda po përgatiej t’i jepte Ukrainës gjashtë avionë luftarakë shtesë F-16, veç 18 të tjerëve që i kishte premtuar më parë.

Ukraina ka nevojë për më shumë ndihmë ushtarake perëndimore ndërsa forcat ruse manovrojnë nga shumë drejtime përgjatë vijës së frontit prej 1500 kilometrash.

Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar se do të çojnë përpara një paketë shpenzimesh ushtarake që ofron ndihmë për Izraelin, por që nuk parashikon ndihma të tjera për Ukrainën. Shkarkimi i gjeneralit Zaluzhny mund të nxisë pasiguri të mëtejshme midis aleatëve perëndimorë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, duke thënë se diskutimet për shkarkimin e gjeneralit Zaluzhnyi ekspozuan përçarje në udhëheqjen ukrainase.

Gazeta “Ukrainska Pravda” njoftoi të hënën se Zelenskyy po konsideronte gjithashtu largimin e shefit të Shtabit të Përgjithshëm Serhii Shaptala.

Gjenerali Zaluzhnyi e uroi zotin Shaptala për ditëlindjen duke postuar një foto të tyre së bashku në Facebook.

“Do të jetë ende shumë e vështirë për ne, por nuk do të turpërohemi kurrë”, shkroi gjenerali Zaluzhnyi./voa

 

Fraksion.com