“Furia Gladiatori”: Si po i përdor Rusia rekrutët nga burgjet për të luftuar në Ukrainë?
Një forcë sulmuese sekrete, e quajtur “Furia Gladiatori” – e përbërë nga të dënuar në burgjet ruse që u rekrutuan nga Ministria ruse e Mbrojtjes – është përfshirë në disa prej betejave më brutale në luftën në Ukrainë dhe ka pësuar humbje të mëdha, gjeti një hulumtim i një njësie hulumtuese të Radios Evropa e Lirë.
Njësia hulumtuese e REL-it, Systema, ka biseduar me ish-anëtarë, me familjarë dhe njerëz të tjerë që kanë njohuri për forcën “Furia Gladiatori”, për të ofruar një pamje më të qartë të historisë, komandantëve, praktikave të rekrutimit, por edhe vendin e kësaj force në mesin e njësive të tjera sulmuese që janë nën komandën e Ministrisë ruse të Mbrojtjes.
“Gladiatori” konsiderohet njësi elitare e forcave speciale dhe është grupim i njësive të tjera sulmuese të ushtrisë, që përbëhen po ashtu nga të dënuar, nën të ashtuquajturën njësi “Furia Z”.
Për më tepër, Systema zbuloi se ka tregues të fuqishëm se “Gladiatori” dhe njësitë e tjera të ushtrisë ruse që përbëhen nga të dënuarit, po riorganizohen nën një legjislacion që u nënshkrua në qershor të vitit 2023 nga presidenti rus, Vladimir Putin. “Furia Gladiatori” mund të jetë në proces të shpërbërjes.
Leopardi dhe rrëqebulli
Në vjeshtën e vitit 2023, Rusia nisi operacione sulmuese njëkohësisht në disa pika përgjatë vijës së frontit në Ukrainë, në përpjekje për të siguruar pozicione të reja para nisjes së dimrit. Forcat sulmuese të ushtrisë, “Furia Z”, përfshirë edhe “Gladiatorin”, luajtën rolin udhëheqës në luftime.
“Fillimisht, ne u trajnuam me ‘Furinë Z’”, tha për Systema një ish-ushtar. “Më pas [komandantët] u shfaqën dhe zgjodhën burrat për nënnjësinë ‘Gladiatori’. Të gjithë ne ishim rekrutuar nga burgjet”.
Dmitry Knayev, ushtar rus i cili ishte burgosur në Ukrainë dhe videoja e intervistës së tij ishte publikuar në kanalet pro-ukrainase në rrjetet sociale në dhjetorin e vitit 2023, kishte rrëfim të ngjashëm. Ai deklaroi se po vuan një dënim prej shtatë vjetësh burgim për vrasje nga pakujdesia që e kreu kur u rekrutua dhe u dërgua në “Furinë Z”, dhe më pas u zgjodh të ishte pjesë e njësisë “Gladiatori”.
Burimet afër njësisë “Gladiatori” thanë se burrat u zgjodhën bazuar në gjendjen e tyre fizike, ata që ishin të pamartuar, dhe në bazë të përvojës së tyre ushtarake apo policore. Stërvitjet fillestare u kryen nga instruktorët nga grupi mercenar, Wagner, apo nga detashmenti i forcave speciale Akhmat, me bazë në Çeçeni.
“Atyre u jepen ‘shënjestra të vështira’”, tha një i afërm i një luftëtari të njësisë “Gladiatori”. Ashtu sikurse edhe disa persona të tjetër që janë përmendur në këtë artikull, i afërmi i këtij ushtari foli në kushte anonimiteti nga frika e pasojave.
“Gladiatori” ka marrë pjesë në luftime përreth fshatit Robotjne, në rajonin jugor ukrainas të Zaporizhjës, ku forcat ukrainase kishin tentuar të thyenin vijat ruse dhe të avanconin drejt bregdetit të Detit Azov gjatë kundërofensivës së vitit të kaluar, që nuk përmbushi synimet.
“Puna kryesore u krye nga fqinjët tanë, kolegët dhe bashkëluftëtarët nga ‘Furia Gladiator’”, shkroi në Telegram më 20 dhjetor 2023, Daniil Tulenkov, ish i dënuar dhe luftëtar në njësinë “Furia Z”. “Ata janë po ashtu ‘Furia Z’ – ata janë të lidhur me regjimentin tonë, por operojnë si njësi e ndarë… ‘Gladiatorët’ janë forca kryesore sulmuese. Njësia jonë ishte më e ulët, sa i përket statusit. Nëse do të merrja një shembull, është sikur leopardi dhe rrëqebulli”.
“Furia Z”, shtoi ai, kryesisht është përfshirë në operacione të transportit dhe logjistikës, ndërkaq luftëtarët e ‘Gladiatorit’ ishin “sulmues të ashpër”.
Si rezultat, “Gladiatori” ka pësuar humbje të mëdha, thanë burimet për Systeman. Një luftëtar i kësaj njësie tha se njësia ka humbur deri në 60 për qind të anëtarëve të saj gjatë luftimeve intensive tremujore në vjeshtën e kaluar. Në këtë shifër përfshihen luftëtarët e vrarë, të plagosur, ata që janë zhdukur gjatë aksioneve apo janë kapur si të burgosur lufte. Që nga fillimi i vitit 2024, të dhënat kanë sugjeruar se njësia “Gladiatori” po shpërbëhet dhe luftëtarët e mbetur të saj janë caktuar që të shërbejnë në njësi të tjera.
“Të dashur gladiatorë”
Në qershor të vitit 2023, gjeneralmajori Ivan Popov, lëshoi një audio-mesazh për trupat e tij, duke njoftuar se ishte shkarkuar nga posti i komandantit të ushtrisë së 58-të. Ky adresim u publikua në Telegram nga Andrei Gurulyov, ligjvënës nga partia në pushtet, Rusia e Bashkuar, i cili shërbeu si zëvendëskomandant i qarkut jugor të ushtrisë ruse nga viti 2016 deri më 2019.
Analizimi që Systema i bëri dokumenteve nga njësia “Gladiator” konfirmoi kjo njësi se ishte pjesë e ushtrisë së 58-të.
“Mirëmbrëma gladiatorët e mi të dashur, të dashur, të gjithë një familje”, tha gjenerali, i cili përdori nofkën ushtarake, Spartak. Ai tha se ishte larguar nga pozita e tij pasi ishte ankuar te komandantët e ushtrisë për “çështjet problematike” që ai ndiente se ishin të nevojshme që të zgjidheshin.
Sipas një studimi të Institutit për Studime të Luftës me seli në SHBA, Popov ishte ankuar te shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjenerali Valery Gerasimov, për nevojën që trupat e vijës së frontit të ndërroheshin përmes rotacionit. Pak pas kësaj ankese, ai u dërgua në Siri ku Rusia ka një prani të madhe ushtarake.
Popov u zëvendësua nga gjenerallejtënanti Denis Lyamin, i cili ishte një prej nënshkruesve të letrës së Ministrisë së Mbrojtjes për “Furinë Z”, fragmente të cilës u publikuan në tetor të vitit 2023 nga media hulumtuese, IStories. Systema ka marr në posedim dokumentacionin e plotë që daton nga shkurti i vitit 2023, ku përshkruhet krijimi i grupeve sulmuese, të përbëra nga të dënuarit. Dokumenti autorizon komandantët të qëllojnë ushtarët “në mënyrë që të vendoset disiplina dhe rregulli” nëse ata refuzojnë të ndjekin urdhrat apo pa autorizim braktisin pozicionet e tyre.
Në nëntor të vitit 2023, gazeta Vecherny Stavropol publikoi një artikull që thoshte se një oficer i përshkruar si komandant i njësisë “Gladiatori”, koloneli Aslan Shurdumov, kishte shkuar në qytetin e Stavropolit dhe kishte pranuar dy kutia me çorape të ngrohta të punuara nga pensionistja 88 vjeçe, Valentina Potyomkina dhe vajza e saj.
“Doja që personalisht të shtrëngoja duart e kësaj gjysheje”, citohet të ketë thënë Shurdumov. “E kuptoj se në [këto çorape] ka shqetësim, dhimbje dhe emocion. Ato, jo vetëm që do të ngrohin këmbët e luftëtarëve tanë, por më e rëndësishmja, do të ngrohin shpirtin e tyre”.
Kjo skenë është shumë e ndryshme nga një natë nëntori e vitit 2013, kur një 23-vjeçar u qëllua për vdekje dhe trupi i tij u dogj, pasi u fut në një makinë. Kjo ngjarje kishte tronditur qarkun Baksankski të rajonit Kabardino-Balkaria të Kaukazit Verior. Në nëntor të vitit 2015, Shurdumov ishte dënuar për këtë krim me 12 vjet burgim, dënim që më pas u ul në 10 vjet pas procedurave të apelimit.
Në fund të tetorit të vitit 2023, ushtarët e njësisë “Gladiatori” u mblodhën për të festuar ditëlindjen e shefit të stafit të njësisë, një majori që njihej me nofkën ushtarake, Kornet. Një video e kësaj ngjarjeje u postua në Telegram. Systema mundi të identifikonte majorin Kornet si Vladislav Olensky, ish-avokat dhe hetues në Shërbimin Federal të Sigurisë (FSB), i cili ishte dënuar me 12 vjet burgim për ryshfet dhe zhvatje.
Nga Z në V
Në shkurt të vitit 2023, Yevgeny Prigozhin – kreu i Wagner-it që vdiq pas rrëzimit të dyshimtë të avionit me të cilin po udhëtonte në gusht, dy muaj pasi udhëhoqi një rebelim jetëshkurtër ndaj udhëheqjes ushtarake ruse – kishte njoftuar se Wagner-i më nuk do të rekrutonte luftëtarë nga burgjet ruse. Rekrutuesit e Ministrisë së Mbrojtjes veçse kishin nisur në vjeshtën e vitit 2022 të punonin për rekrutim nga burgjet ruse. Në prill të vitit 2023, ministria po synonte të rekrutonte të paktën 1.400 të burgosur për grupet sulmuese Z, për secilën nga 100 burra.
Pagesa dhe përfitimet për ushtarët, që ishin të dënuar, ishin më të këqija sesa për ushtarët me kontrata të rregullta apo për ata që ishin mobilizuar, por atyre iu garantua falja presidenciale pasi të përfundonin kontratën e tyre.
Megjithatë, më 24 qershor 2024, Putin nënshkroi një ligj për rekrutimin e të dënuarve për shërbim me kontratë me Ministrinë e Mbrojtjes, dhe një sistem i ri i bazuar në një ligj që hyri në fuqi në shtator. Sipas Shërbimit Rus të BBC-së, të burgosurit e rekrutuar sipas ligjit të ri do të shërbenin në njësitë e një emër të ri, “Furia V”. Sipas ligjit të ri, në vend të faljes presidenciale, këta të rekrutuar nga burgjet do të përfitonin lirim të hershëm me kusht dhe do të merrnin paga të njëjta sikurse ushtarët e rregullt me kontratë, afër 2.240 dollarë në muaj.
Kontratat e reja janë zyrtare për një vit, por pasi që rekrutët nga burgjet konsiderohen “njësoj sikurse ushtarët me kontratë”, shërbimi i tyre mund të zgjatet deri në përfundimin e pushtimit, që Kremlini e quan “operacion të posaçëm ushtarak”.
Në janar, Mediazona dhe BBC raportuan se mbi 7.800 të burgosur rusë që ishin rekrutuar, ishin vrarë në luftimet në Ukrainë, që kur nisi pushtimi në shkallë të plotë i këtij shteti në shkurt të vitit 2022./REL
Fraksion.com