“Deputetët e opozitës çanë kordonin e Gradës”, Spiropali: U ngjit malit lart përpjetë, çetë e vogël me tre vetë
Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ka komentuar zhvillimet në Kuvend dhe bllokimin e punimeve të seancës plenare nga deputetët e opozitës ditën e djeshme.
“Brenda dhe jashtë sallës plenare, u ngjit malit lart përpjetë çetë e vogël me tre vetë”, shkruan Spiropali.
Ndërkohë ministrja ndau edhe momente nga mbledhja e komisionit për Çështjet Europiane, ku prezantoi projektligjin për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për “Për Prokurimin Publik”.
Sipas saj, “ky ligj ndihmon në luftën kundër korrupsionit, thellimin e transparencës, rritjen e eficencës së administratës publike, si dhe sjell lehtësimin e procedurave për operatorët ekonomikë”.
“Nevoja për rishikimin e këtij ligji vjen në kuadër të procesit të integrimit dhe synohet përafrimi i mëtejshëm i legjislacionit me dy direktiva të Bashkimit Evropian, si dhe në vijimësi të angazhimeve të marra në takimin dypalësh për kapitullin V ‘Prokurimi publik’ në Bruksel, në lidhje me procesin screening”, tha ajo.