“Ejani dhe nuk do të pendoheni”, Rama: Të huajt po e preferojnë gjithnjë e më shumë Shqipërinë për të jetuar
Shqipëria po preferohet gjithnjë e më shumë nga të huajt, jo vetëm për turizëm sezonal, por edhe për të jetuar.
Kryeministri Edi Rama ndau sot rrëfimet dhe përvojën e këngëtares së njohur italiane Viola Valentino dhe bashkëshortit të saj Francesco Mango, të cilët kanë lënë Italinë mike dhe kanë zgjedhur Durrësin për të jetuar duke e vlerësuar atë për natyrën, detin, sigurinë, komoditetin, mikpritjen dhe njerëzit e mrekullueshëm.
“Në 1997 mamaja ime ishte sekretare e shefit të shtabit të ushtrisë italiane dhe erdhi në Durrës për të sjellë ndihmat humanitare në Shqipëri. Në vitin 2005 i thashë “Mami dua të shkoj diku me pushime”. Dhe m’u përgjigj, “Shko në Shqipëri”. Erdha këtu për 4 ditë dhe qëndrova për më shumë se një muaj. Më pas erdha disa herë të tjera dhe gjithmonë më ka tërhequr ky vend. Jo pa qëllim dhe këtë tatuazh që do ta mbaj gjithë jetën. Them gjithmonë që dua të plakëm dhe të vdes këtu, sepse e adhuroj këtë tokë”, tregon Francesco.
Ndërsa këngëtarja Viola Valentino u shpreh se, “kam ardhur sepse ndoqa bashkëshortin tim dhe ndjehem mirë këtu dhe fundja përse jo. Nëse më thërrasin në koncerte shkoj dhe kthehem sërish. ka det, njerëzit janë mikpritës dhe ka simpati. Mikpritja është, gjërat e bukura gjithashtu dhe për mua ky qytet është krijuar kështu dhe është shumë mirë kështu si është”.
Francesco shtoi se, “Durrësi është i mrekullueshëm. ka detin, komoditetin, njerëzit mikpritës. Është shumë i sigurtë, nuk do mund të largohesha dot nga Durrësi”.
Ai u dha edhe një këshillë të gjithë italianëve. “Ejani të vizitoni Durrësin dhe nuk do të pendoheni. Është i mrekullueshëm”.
Fraksion.com