Trafik armësh dhe eksplozivësh nga Kosova në Shqipëri, kapen 46 kg tritol. Arrestohen 3 kosovarë
46 kilogramë tritol u sekuestruan nga policia e Tiranës në një operacion që goditi një grup kriminal nga Kosova, i cili trafikonte lëndë eksplozive drejt vendit tonë. 3 persona ranë në pranga, të gjithë nga Gjilani, ndërsa 2 të tjerë u shpallën në kërkim. Të arrestuarit janë Rigon Maliqi, 20 vjeç, Lion Pira, 25 vjeç dhe Shkelqim Halabaku, 27 vjeç.
“Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, i DVP Tiranë, pas një pune hetimore 4-mujore, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, duke përdorur metoda speciale të hetimit, bëri të mundur goditjen e një grupi kriminal nga Kosova, që kryente trafikim armësh dhe lëndësh eksplozive nga Kosova në drejtim të Shqipërisë. Si rezultat i mirorganizmit të punës në kuadër të operacionit policor të koduar “THE SAME”, më datë 04.02.2024, në afërsi të urës së Gjolës u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: Rigon Maliqi, 20 vjeç, Lion Pira, 25 vjeç dhe Shkelqim Halabaku, 27 vjeç, të tre banues në Gjilan. Në kuadër të këtij hetimi, u shpallën në kërkim edhe 2 shtetas kosovarë. Gjithashtu, gjatë operacionit u sekuestruan 203 kallëpe me lëndë plasësë të dyshuar tritol TNT, me peshë 46 kg”, tha kreu i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj në një deklaratë për mediat.
Po sipas këtij të fundit, kjo sasi ishte destinuar për t’u përdorur nga grupe kriminale të ndryshme, në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Fraksion.com