AktualitetEkonomiPolitikëTë fundit

Rama: Ekonomia shqiptare të transformohet tërësisht drejt transaksioneve bankare

Kryeministri Edi Rama u bëri thirrje përfaqësuesve të sistemit bankar dhe të industrisë së re “Fintech”, që të punohet intensivisht për kalimin e të gjitha transaksioneve nga cash në online

Gjatë fjalës së tij, nga “Shtëpia e Biznesit”, ku zhvilloi një takim me përfaqësuesit e sistemit bankar dhe të industrisë së re “Fintech”, mbi nevojën për shtrirjen e modernizimit të shtetit në digjitalizimin e shërbimeve financiare, Rama theksoi se Shqipëria ka tre faktorë përmes së cilave mund të shkëlqejë, duke iu referuar inovacionit, turizmit dhe energjisë.

“Nuk mund të jemi një vend që mbetet ende shumë i kapur në një boshllëk në mënyrën sesi është i ndërtuar dhe sesi funksionon sistemi ynë financiar dhe mënyrë sesi funksion sistemi financiar i ekonomisë familjare. Një vend që vazhdon me një volum cash të papranueshëm, duke patur një shpenzim shumë të lartë të vetë prodhimit të letrës së parasë. Nuk mund të jemi një vend që vazhdon e kërkon formalizimin e ekonomisë në rrugën tradicionale, të gjobave, që kanë rezultuar në të shumtën e herës metodë e pa suksesshme”, tha Rama.

“Dhe nuk mund të jemi një vend ku bankat mbeten ende shumë larg nevojës së ekonomisë, kur vjen puna tek shpejtësia dhe tek efikasiteti i transaksioneve, që për ta thënë me një fjalë të vetme edhe pagesat direkte janë të shumtën e herës me metoda tradicionale. Shqipëria duhet të fokusohet dhe qeveria është shumë e fokusuar me thënë të vërtetën, por kjo s’është çështje vetëm e qeverisë, tek inovacioni dhe faktikisht ne jemi në situatën kur ligji, jo unë, ligji, e ka të shkruar e zeza mbi të bardhë, në janar të këtij viti duhet të ishte zbatuar nga të gjitha bankat e nivelit të dytë, aplikimi i protokolleve të “Open banking” dhe janari ishte një afat i përsëritur, jo një afat i vënë për herë të parë”, tha Rama.

 

Fraksion.com