AktualitetEkonomiPolitikëTë fundit

Mete: Digjitalizimi i shërben ekonomisë dhe thellimit të tregut

Ministri i Financave, Ervin Mete, mori pjesë në takimin me temë “Inovacioni në Sistemin Financiar”, ku i pranishëm ishte Kryeministri Edi Rama, ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, Guvernatori i BSH, Gent Sejko, si edhe drejtues të Shoqatës së Bankave, sektorit bankar dhe institucioneve të parasë elektronike.

Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi rreth çështjeve dhe sfidave që lidhen me zhvillimet inovative në sektorin financiar.

Në fjalën e tij, Mete u shpreh se digjitalizimi dhe qasja ndaj teknologjisë tashmë është kthyer në një objektiv kryesor dhe ndërsektorial jo vetëm në vendin tonë, por edhe në më gjerë në nivel europian apo botëror, sidomos pas pandemisë Covid-19.

Ministri solli në vëmendje disa prej zhvillimeve pozitive të shënuara në sektorin financiar në vitet e fundit sa i përket digjitalizimit dhe theksoi faktin se inovacioni dhe digjitalizimi në këtë sektor i shërben jo vetëm zhvillimit të tij, por edhe ekonomisë në tërësi.

“Në eksperiencën time jo të largët, ne kemi aplikuar, në bashkëpunim edhe me sektorin bankar, disa zgjidhje që ishin inovative, shkonin drejt aplikimit të fintech dhe iu shërbenin jo vetëm sektorit, por edhe qytetarëve. Kam parasysh këtu aplikimin e një platforme që ndërlidhte sistemin tonë të blerjes së titujve me një nga 3 platformat kryesore në Europë që krijonte akses në bursat ndërkombëtare në bashkëpunim me bankat. Me një bankë tjetër autorizuam një platformë për tregtinë online të titujve të qeverisë, që është një nga elementët kyç edhe të likuiditetit të tregut të letrave qeveritare. Mundësuam që fonde të investimeve të licencuara në BE të mund të distribuohen, apo tregtohen në Shqipëri thjesht me një njohje licence, pra pa u licencuar nga e para. Pra, inovacioni, digjitalizimi dhe përfshirja e sektorit i shërben jo vetëm tregut financiar, por edhe ekonomisë dhe më gjerë thellimit të tregut”, u shpreh ministri.

Nga ana tjetër, ministri i Financave tha se është e nevojshme një qasje e strukturuar, së bashku me aktorët e sektorit financiar dhe institucionet rregullatore, për të pasur një strategji edhe në përfshirjen financiare. Kjo pasi, sipas Ministrit Mete, për reduktimin e parasë cash duhet të ketë edhe një rritje të përfshirjes financiare.

“Ka modele të avancimit dhe të përfshirjes financiare të qytetarëve në sektorin bankar, e duke theksuar këtu edhe edukimin financiar që në vetvete, nëse bëhet siç duhet, është një ndihmues dhe komponent i rëndësishëm edhe i përfshirjes më të gjerë nëpërmjet përdorimit të fintech”, tha ministri në fjalën e tij.

 

Faksion.com