AktualitetRajoniTë fundit

Greqi: Hapja e universiteteve të huaja shkakton protesta masive të studentëve, përleshje me policinë dhe gaz lotsjellës

Policia greke hodhi gaz lotsjellës dhe u përlesh për pak kohë me protestuesit jashtë Parlamentit të enjten gjatë demonstratave kundër planeve për të lejuar që universitetet e huaja private të funksionojnë në vend.

Mijëra studentë dhe demonstrues të tjerë marshuan kryesisht në mënyrë paqësore në Athinën qendrore në orët e hershme të pasdites, disa prej tyre duke mbajtur pankarta ku lexonin: “Jo privatizimit të arsimit publik!”

Kur shumica kishin kaluar Parlamentin, një grup që mbante flamuj të kuq u shkëput dhe u përlesh me oficerët. Një zyrtar i policisë tha se oficerët u sulmuan dhe u përgjigjën me gaz lotsjellës.

Qeveria konservatore e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis ka hartuar një projekt-ligj për reformën në arsim për të hapur derën për institucionet që ajo thotë se do të funksionojnë si degë të universiteteve të huaja.

Kritikët thonë se masa do të zhvlerësojë diplomat nga universitetet publike të Greqisë dhe do të reduktojë më tej fondet shtetërore për arsimin publik. Parlamenti do të votojë për projektligjin këtë muaj.

Fraksion.com