BE i kërkon Kosovës një periudhë të gjatë kalimtare për çështjen e dinarit serb
Bashkimi Evropian i bëri thirrje Kosovës që të ofrojë periudhë mjaftueshëm të gjatë kalimtare për zbatimin e vendimit të Bankës Qendrore e cila përcakton se euroja është monedha e vetme që mund të përdoret për pagesa. Vendimi që hyri ne fuqi me 1 shkurt nënkupton heqjen nga përdorimi të dinarit të Serbisë, që ende përdoret në zonat e banuara me shumicë serbe posaçërisht në veriun e Kosovës.
Rregullorja nxitur reagimin e zemëruar të Beogradit dhe përfaqësuesve politik të serbëve në Kosovë, të cilët vlerësojnë se ky vendim rrezikon mbijetesën e komunitetit serb por edhe shqetësimet e diplomatëve perëndimorë se ajo mund të nxisë tensione të reja.
Në një komunikatë të publikuar të enjten, Bashkimi Evropian tha se “rregullorja do të ndikojë edhe në mbështetjen financiare që serbët e Kosovës marrin nga Serbia. BE-ja është e shqetësuar për pasojat që ky vendim mund të ketë në jetën e përditshme të serbëve të Kosovës dhe komuniteteve të tjera në mbarë Kosovën për shkak të mungesës së këshillimeve paraprake, veçanërisht për ndikimin e tij në shkolla dhe spitale, duke pasur parasysh mungesën e dukshme të alternativave në këtë kohë”.
Në komunikatë thuhet se periudha e shkurtër kalimtare për zbatimin e rregullores, e kombinuar me mungesën e informacionit dhe zgjidhjeve praktike për të gjitha komunitetet e prekura, rrezikojnë të ndërlikojnë seriozisht jetën e tyre.
Prandaj, thuhet më tej, “BE-ja i kërkon Kosovës që të sigurojë një periudhë mjaftueshëm të gjatë kalimtare dhe të gjejë një zgjidhje të negociuar për këtë çështje në kuadër të bisedimeve të lehtësuara nga Bashkimi Evropian”.
Qeveria e Kosovës tha të mërkurën se zbatimi i rregullores do të bëhet përmes një periudhe kalimtare të lehtësuar, por pa dhënë hollësi për afatin kohor.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi tha se duhet të hapen kanalet e komunikimit ndërmjet Bankës Qendrore të Kosovës dhe asaj të Serbisë për të lehtësuar këtë proces.e
Bashkimi Evropian dhe diplomatët në Prishtinë pajtohen që rregullorja “synon të rrisë transparencën financiare, të sigurojë qëndrueshmërinë financiare dhe të luftojë pastrimin dhe falsifikimin e parave”, por kanë këkruar shtyrjen e zbatimit “derisa të zgjidhen çështjet që sigurojnë se askush nuk do të dëmtohet”.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç diskutoi të mërkruën mbrëma me ambasadorët e vendeve kryesore perëndimore për këtë cëshjtje por nuk u dhanë hollësi rreth diskutimeve.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara po u bëjnë trysni Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve për të cilën pakët u pajtuan gati një vit më parë në Bruksel dhe në Ohër.
Por marrëveshja nuk arriti të ultë tensionet që kulmuan në shtator të vitit të kaluar kur një grup serbësh të armatosur sulmoi policinë e Kosovës duke vrarë një oficer. Incidenti, që u cilësua më i rëndi që kur Kosova shpalli pavarësinë e saj në vitin 2008, bëri që NATO-ja të shtojë praninë e saj në Kosovë mes shqetësimeve për qëndrueshmërinë e rajonit./voa
Fraksion.com