AktualitetTë fundit

SPAK sekuestron rreth 1 mln euro të ish-shefit të Operacionales, Oltion Bistri

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka sekuestruar pasurinë me vlerë rreth 1 mln euro të ish-shefit të Oepracionales, Oltion Bistrit.

Nga hetimet e kryera dhe provat e administruara është evidentuar se që nga viti 2015 e në vijim Bistri dhe familjarët e afërm të tij kanë kryer disa transaksione të dyshimta në lidhje me shitjen dhe blerjen e pasurive të paluajtshme në një vlerë totale rreth 1 milion Euro.

Në këto kushte nga Prokuroria e Posaçme është vendosur sekuestrimi për pasuritë e mëposhtme:

  • Sipërfaqe ndërtimore e llojit apartament, me sipërfaqe totale të apartamentit përfshirë edhe sipërfaqet e përbashkëta 400 (katërqind) metra katror, me një çmim në total prej 200 000 (dyqind mijë) Euro, e ndodhur në Tiranë.
  • Sipërfaqe ndërtimore e llojit apartament, me sipërfaqe totale të apartamentit përfshirë edhe sipërfaqet e përbashkëta 400 (katërqind) metra katror, me një çmim në total prej 200 000 (dyqind mijë) Euro e ndodhur në Tiranë.
  • Njësia dyqan me sipërfaqe ndërtimore 125 (njëqind e njëzet e pesë) metra katror, me një çmim në total prej 300 000 (treqind mijë) Euro e ndodhur në Tiranë.
  • Njësia dyqan me sipërfaqe ndërtimore 95 (nëntëdhjetë e pesë) metra katror, me një çmim në total prej 230 000 (dyqind e tridhjetë mijë) Euro e ndodhur në Tiranë.
  • Sipërfaqe ndërtimore e llojit apartament banimi, me sipërfaqe totale 110.6 m2, me çmim shitje 50 300 Euro e ndodhur në Tiranë.

Vlen të theksohet se, Oltion Bistri është arrestuar në kuadër të operacionit “Metamorfoza” dhe aktualisht po hetohet nën masën e sigurimit “arrest në burg”. Ai mbante detyrën e shefit të operacionales dhe mbasi u delegua specialist i hetimit të krimeve në volum dha dorëheqjen nga Policia e Shtetit. Ai dyshohet për nxjerrje sekreti dhe shpërdorim detyre. Ngjarja për të cilën u dha informacion në kohë rekord lidhen me qytetin e Shkodrës dhe me grupet kriminale në veri të vendit, si dhe me vrasje.

Ndaj Bitrit është regjistruar një procedim penal për veprat penale “Vrasja me paramendim”, “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Ekspertimi i rremë”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Trafikimi i narkotikëve”, “Mbajtja pa leje e armëve dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, në bashkëpunim në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

 

Fraksion.com