AktualitetBota+Të fundit

Putini vizitë në Turqi më 12 shkurt

Presidenti rus Vladimir Putin do të vizitojë Turqinë më 12 shkurt për t’u takuar me homologun e tij Recep Tayyip Erdogan i tha një zyrtar turk agjencisë së lajmeve ‘Reuters’ të mërkurën. Nëse ndodh, ky do të jetë udhëtimi i parë i udhëheqësit rus në një vend aleat të NATO-s, që nga fillimi i sulmit rus ndaj Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Mundësitë e zotit Putin për të udhëtuar jashtë vendit ka qenë të kufizuara që nga marsi i vitit të kaluar, kur Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC) lëshoi një urdhër-arresti për krime lufte kundër tij, nën dyshimet për rrëmbimin dhe dërgimin me forcë të fëmijëve ukrainas në Rusi. Moska e ka hedhur poshtë akuzën si një veprim skandaloz e duke e cilësuar atë ligjërisht të pavlefshme, nisur nga fakti që Rusia nuk është anëtare e gjykatës.

Turqia gjithashtu nuk është anëtare e atij që njihet si Statuti i Romës mbi bazën e cilit funksion kjo gjykatë, ndaj dhe zoti Putin mund të udhëtojë në Turqi pa frikën se mund të arrestohet.

Turqia, e cila ndan një kufi detar me Ukrainën dhe Rusinë në Detin e Zi, është përpjekur të mbajë lidhje të mira me të dyja vendet që nga sulmi në shkallë të gjerë i Moskës. Ajo ka ofruar mbështetje ushtarake për Kievin si dhe ka shprehur mbështetje për integritetin e saj territorial, por gjithashtu kundërshton sanksionet ndaj Rusisë.

Ankaraja ka kërkuar të bindë Rusinë që t’i kthehet marrëveshjes së eksportit të drithërave përmes Detit të Zi, një pakt i ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara dhe Turqia, që garantonte siguri për eksportet ukrainase. Moska u tërhoq nga marrëveshja korrikun e kaluar, pas një viti zbatimi të saj.

Zoti Erdogan ka thënë se zgjidhjet alternative nuk ofrojnë një zgjidhje të qëndrueshme për situatën. Kievi ka bërë të ditur se po zhvillohen bisedime për një ringjallje të mundshme të marrëveshjes, por Moska thotë se nuk është e interesuar të bëhet pjesë e saj.

Më herët të mërkurën, Turqia dhe Ukraina nënshkruan një marrëveshje për të lejuar firmat turke të ndërtimit të marrin pjesë në rindërtimin e infrastrukturës ukrainase të dëmtuar nga lufta me Rusinë.

Turqia, një vend anëtar i NATO-s, ka lidhje të ngushta ekonomike me Rusinë, veçanërisht në turizëm, furnizimin me gaz, drithëra dhe produkte të tjera bujqësore, gjë që e ka vënë në një situatë të vështirë Perëndimin. Megjithatë, të dy vendet (Rusia dhe Turqia) kanë mosmarrëveshje lidhur me konfliktet në Siri dhe Libi, duke mbështetur palë kundërshtare, si dhe mbi tensionet mes Azerbajxhanit dhe Armenisë, në Kaukazin e Jugut.

Ndërkohë më 14 shkurt, Presidenti Erdogan do të udhëtojë për në Egjipt bëri të ditur i njëjti zyrtar turk, ndërsa të dy vendet kanë përmirësuar marrëdhëniet diplomatike duke emëruar vitin e kaluar ambasadorë, pas një dekade tensionesh.

 

Fraksion.com