AktualitetPolitikëTë fundit

Celibashi partive politike: Ndryshimet duhen bërë një vit para zgjedhjeve

Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi i bën thirrje partive politike që të ulen në diskutime për Reformën Zgjedhore dhe të bëjnë sa më shpejt të jetë e mundur ndryshimet e nevojshme.

Celibashi theksoi se ndryshimet duhen bërë një vit para zgjedhjeve. Në një konferencë me gazetarët, ai u shpreh se nëse nuk do të ndryshohet kodi, atëherë zgjedhjet mund të zhvillohen edhe me kodin aktual, por tha se emigrantët nuk mund të votojnë.

“E dimë që nëse do duhet të bëhen ndryshime do duhet të datojnë jo më vonë se 1 vit, ose në rastin më ekstrem 6 muaj para ditës së zgjedhjeve. Nëse ngel ky kod, zgjedhjet do bëhen, nuk di të them se ca impakti do ketë në aspektin teknik të zgjedhjeve të ardhme. Duket që faktori politik dhe institucioneve kanë pranuar nevojën për të bërë ndryshime në kodin zgjedhor, të paktën në disa aspekte të këtij kodi. Do ishte mirë që partitë politike, shumica qeverisëse dhe opozita të angazhohen për të i realizuar këto ndryshime sa më shpejt që të jetë e mundur. Ngelet në vlerësimin e partive politike për t’i adresuar çështjet që kemi evidentuar ne, që i konsiderojmë problematike, ose të nevojshme për t’u rikonsideruar”, tha Celibashi.

 

Fraksion.com