AktualitetKosovaRajoniTë fundit

TI: S’ka gatishmëri politike në Kosovë për të hequr dorë prej ndërhyrjeve në gjyqësor

Në Kosovë nuk ka gatishmëri politike për të hequr dorë prej ndërhyrjeve në gjyqësor, dhe ky vend duhet të punojë ende në luftim të korrupsionit.

Kështu është thënë në raportin e Indeksit për Perceptim të Korrupsionit për vitin 2023, të përpiluar nga organizata ndërkombëtare, Transparency International.

Sikurse vitin e kaluar, Kosova ka 41 pikë.

Indeksi radhit çdo vit 180 shtete dhe territore të botës në bazë të nivelit të perceptuar të korrupsionit në sektorin publik. Ai përdor një metodologji pikësh, sipas së cilës zero tregon për një vend shumë të korruptuar, ndërsa 100 për një vend të pastër nga kjo dukuri.

Në pjesën për Kosovën, në raport është thënë se pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme, reformat që janë kyçe për pavarësi të sistemit të gjyqësorit, sikurse krijimi i procesit të vettingut dhe miratimi i ligjit të ri, që do të mund të fuqizonte integritetin në Këshillin Prokurorial, janë duke lëvizur me ritëm shumë të ngadalshëm.

“Edhe më keq, ndërhyrja e vazhdueshme e Qeverisë në çështjet e gjyqësorit, e ilustruar me shkarkim të shefit të njësisë speciale të Policisë së Kosovës, bashkë me ndërhyrjen e deputetëve të shumicës në hetimin parlamentar për një rast të madh të korrupsionit, sugjerojnë se nuk ka vullnet politik për të hequr dorë prej kontrollit dhe për forcim të mbikëqyrjes së pavarur”, është thënë në raport.

Procesi i vettingut

Procesi i vettingut është premtuar prej Qeverisë së kryeministrit Albin Kurti, në programin katërvjeçar.

Megjithatë, ai ende është në fazën fillestare.

Ky proces nënkupton rivlerësim të prokurorëve dhe gjyqtarëve, rritjen e tyre profesionale, luftim të korrupsionit dhe ndaljen e ndikimit të politikëve apo elementëve tjerë në drejtësi.

Koncept-dokumentin për vettingun e ka vlerësuar edhe Komisioni i Venecias.

Sipas komisionit, vettingu efektiv, në rastin e Kosovës, kërkon kombinimin e masave të ndryshme, që do të kishin efekt pozitiv në integritetin dhe efikasitetin e sistemit të drejtësisë.

Si pikë e parë është rekomanduar verifikimi i nivele të larta në gjyqësor dhe në prokurori.

Amendamentet kushtetuese për vettingun në nivele të larta, janë hartuar prej një komisioni ad-hoc të Kuvendit të Kosovës, i mbështetur prej Ministrisë së Drejtësisë.

Më vonë, në mars të vitit 2023, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i pati dërguar disa ndryshime të amendamenteve në Gjykatën Kushtetuese, për të kuptuar nëse janë në përputhje me Kushtetutën.

Gjykata Kushtetuese nuk e ka dhënë ende fjalën e saj në këtë çështje, ndonëse, sipas ligjit, ky grup duhet të japë vlerësim brenda gjashtë muajsh, pas pranimit të kërkesës.

Sipas raportit të Programit për Zhvillim të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNDP) dhe Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Pulsi Publik, i publikuar këtë vit, vetëm 29 për qind e qytetarëve janë të kënaqur me punën e sistemit të drejtësisë në Kosovë.

Vendet e rajonit

Prej vendeve të rajonit, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina, kanë shënuar përparim të lehtë. Serbia mbetet në vendnumëro.

SHQIPËRIA

Shqipëria është vlerësuar me 37 pikë – një më shumë sesa vitin e kaluar.

Ndonëse është përmendur përmirësimi i situatës, me theks të veçantë në hetimin dhe gjykimin e korrupsionit të nivelit të lartë, përparimi i madh në Shqipëri është thënë se varet prej forcimit të legjislacionit të drejtësisë penale, dhe garantimit të një mbikëqyrjeje efektive të degës ekzekutive.

Raporti e ka pasur si referencë punën e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), e cila është ndërtuar të dhjetor të vitit 2019, me qëllim të hetimit të korrupsionit në nivelet e larta dhe krimin e organizuar.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se e mbështesin punën e SPAK-ut dhe reformën në drejtësi në Shqipëri.

“Vendimi për të krijuar një ministri të re përgjegjëse për aktivitetet kundër korrupsionit, do të thotë se ka pritje për mekanizma efektivë për integritet. Megjithatë, kjo nuk mund të arrihet, nëse Parlamenti nuk ka autonomi më të madhe, dhe nëse organizatat e shoqërisë civile dhe mediat nuk mund të kryejnë rolin e tyre mbikëqyrës, pa ndonjë pengesë të autoriteteve”, është thënë në raport.

Në krye të ministrisë së re në Shqipëri, për Administratë dhe Anti-Korrupsion, është emëruar Adea Pirdeni, e cila deri më tani ka qenë zëvendësministre e Drejtësisë.

MAQEDONIA E VERIUT

Maqedonia e Veriut është renditur në listën e vendeve ku drejtësia e dobët mundëson lulëzim të korrupsionit.

Ky vend ka shënuar përparim të lehtë, me 42 pikë – dy më shumë se vitin e kaluar – por që, sipas raportit, progresi ka shënuar kthim mbrapa, pas ndryshimeve që janë bërë në Kodin Penal.

“Vendimi për t’i zvogëluar dënimet për abuzim të detyrave zyrtare për përfitime personale dhe afatet e shkurtuara për fillimin e procedurave ligjore për rastet e dyshuara për korrupsion, janë në të mirë të personave të korruptuar, pasi rreth 200 raste do të vjetërohen, përfshirë ato kundër ish-zyrtarëve të nivelit të lartë. Emërimet e motivuara mbi baza politike, dhe shkarkimet e zyrtarëve të gjykatave, rrisin shqetësimet për aftësinë e gjyqësorit që të luftojë korrupsionin në mënyrë efektive”, është thënë në raport.

Ndryshimet në Kodin Penal janë miratuar në shtator të vitit të kaluar.

Këto ndryshime, Qeveria i ka arsyetuar me nevojën e harmonizimit të Kodit Penal me praktikat evropiane, por edhe heqje dorë nga pikat e legjislacionit, që sipas Qeverisë, ende bazoheshin në praktikat e sistemit të kaluar të ish-Jugosllavisë.

Për njohësit e çështjeve juridike në Shkup, ndryshimet kanë qenë skandaloze dhe “në funksion të mbrojtjes së krimit”.

MALI I ZI

Mali i Zi – me 46 pikë, një më shumë se vitin paraprak – është përmendur si shembull sesi kapja e mëhershme e shtetit, mund të rezultojë me pasoja afatgjata në institucione.

“Pasi tri dekadave të një partie në pushtet, u ka ardhur fundi më 2020, shumë janë ndjerë të inkurajuar që të raportojnë korrupsionin e së kaluarës. Megjithatë, përparimi i vogël në procesim të këtyre rasteve dhe beteja për të rindërtuar një gjyqësor funksional, tregojnë sa e thellë ka qenë kapja prej regjimit të kaluar, dhe si është shkatërruar sistemi i drejtësisë prej krimit të organizuar”, si referencë për qeverisjen e Millo Gjukanoviqit.

Sipas raportit, për të qenë i suksesshëm, koalicioni qeveritar i udhëhequr prej Lëvizjes Evropa Tani, duhet ta bëjë prioritet luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Qeveria e re e Malit të Zi është zgjedhur në tetor të vitit 2023, në krye me kryeministrin Millojo Spajiq.

Koalicioni i qendrës Evropa Tani fitoi zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura në qershor.

SERBIA

Më 36 pikë – njëjtë sikurse periudhën paraprake – Serbia është thënë se përjeton rënie të demokracisë, me “Qeverinë e saj autokratike, që përdor ligje speciale për të kufizuar transparencën në projekte të shkallës së gjerë”.

Aty janë përmendur kontrata me çmime të fryra dhe kualitet i dobët ndërtimi në në disa projekte që është paraparë të finalizohen me fonde publike në vlerë të 1 miliard eurove.

Si tjetër çështje problematike është përmendur mashtrimi zgjedhor në zgjedhjet e fundit në Serbi, nga të cilat është thënë se ka përfituar partia në pushtet, Partia Përparimtare Serbe (SNS) dhe aleatët e saj.

“Ky institucion i drejtësisë, i kapur prej politikës, po dështon të mbrojë interesin publik në kohë kyçe, duke e zvogëluar aftësinë e shtetit për t’i dhënë fund korrupsionit”.

Zgjedhjet parlamentare, lokale dhe krahinore, janë mbajtur në Serbi, në dhjetor të vitit 2023.

Ai proces zgjedhor është përshkruar si jo i drejtë, sipas vëzhguesve ndërkombëtarë.

Mirëpo presidenti serb, Aleksandar Vuçiq dhe aleatët e tij kanë thënë se zgjedhjet janë qenë të drejta.

Opozita refuzon rezultatin zgjedhor dhe ka protestuar disa herë në Beograd.

BOSNJE-HERCEGOVINA

Në pjesën për Bosnje-Hercegovinën – me 35 pikë, një më shumë se periudhën e kaluar – është thënë se qeverisja komplekse dhe struktura gjyqësore, lënë hapësirë për koncentrim të pushtetit në partitë kryesore mbi baza etnike.

“Dominimi i tyre në të gjitha degët e pushtetit, kontribuon në korrupsion sistematik dhe minon funksionimin e shtetit, prandaj qytetarët e humbin besimin në institucione”.

Për në shumë, ky trend negativ është thënë të jetë përkeqësuar prej përpjekjeve të elitës politike për t’i heshtur mbikëqyrësit.

Bota në hall me korrupsionin

Në përgjithësi, në raport përmendet se shumica e vendeve kanë bërë pak, ose aspak, përparim për luftim të korrupsionit në sektorin publik.

Danimarka është e para në listë, me 90 pikë, si shumë efikase në luftën kundër korrupsionit, ndërsa Somalia është e fundit me 11 pikë.

Mesatarja e pikëve të vendeve mbetet e pandryshuar – në 43 pikë – për të 12-tin vit me radhë, dhe mbi dy të tretat e shteteve kanë më shumë se 50 pikë.

Kjo, sipas raportit, tregon për probleme serioze me korrupsion./REL

 

Fraksion.com