AktualitetTë fundit

Shkurti nis me diell dhe temperatura të larta, mësoni si do të jetë moti këtë javë

Janari do të mbyllet me diell dhe me temperatura të ulëta, ndërsa Shkurti do të nisë më i ngrohtë dhe me kthjellime, të paktën deri më datë 10 të muajit të ardhshëm.

Ka qenë ky parashikimi i motit për javën nga sinoptikanja Lajda Porja nga “MeteoAlb” në një lidhje direkte për Klan News. Pritet që nga dita e enjte, temperaturat të rriten dhe të shkojnë deri në 17 gradë Celsius.

Lajda Porja: Dielli do të jetë prezent, intervale të gjata kthjellimesh, parashikohet që kjo javë të jetë nën ndikimin e masave ajrore të qëndrueshme. Nuk ka sinjale që të kemi reshje në territor. Deri të mërkurën, pjesa e parë e kësaj jave, edhe pse do të jetë me mot të kthjellët dhe me diell, mëngjeset do të mbeten relativisht të ftohta. Sot regjistrohet temperatura më e ulët, -5 në Ersekë, -4 në qarkun e Dibrës, ndërkohë bregdeti dhe zona e ulëta luhaten nga 2 deri në 7 gradë. Maksimalet në zonat malore janë jo më shumë se 7 apo 8 gradë, ndërkohë parashikohet që në bregdet të shënohet dhe temperatura 14 gradë. Parashikohet që deri të mërkurën, luhatja e temperaturave të jetë jo shumë e ndjeshme. Mbetet mëngjesi i ftohtë, mesdita do të jetë me diell, vranësirat do të jenë kryesisht në pjesën e dytë të ditës dhe aspak problematike.

Situata termike do të ndryshojë në pjesën e dytë të javës, duke filluar nga e enjtja, e premtja, përfshirë fundjavën, do të kemi mjaftueshëm diell, por do të kemi edhe rritje të temperaturave në vlerat e mëngjesit, duke bërë që edhe zonat malore, vetëm disa zona të caktuara të jenë minus 1, ndërkohë që presim temperatura deri në 17 gradë. Mund të them se nis muaji Shkurt i ngrohtë, në temperatura relativisht të larta dhe pa reshje. Deri nga data 10 Shkurt, nuk ka sinjale që të ketë reshje. Moti do të jetë i kthjellët, dielli do të jetë prezent në të gjithë territorin.

 

Fraksion.com