Apeli i GJKKO rrëzon kërkesën e Belerit për t’u betuar si kryebashkiak i Himarës
Gjykata e Apelit Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit rrëzoi sot kërkesën e Fredi Belerit, kryetar i zgjedhur i bashkisë së Himarës. Ai përmes avokatit të tij kishte kërkuar nga togat e zeza leje për t’u betuar si qytetari i parë i Himarës, por Gjykata vendosi sot të rrëzojë këtë kërkesë të Belerit.
Avokati i Belerit në përfundim të seancës në Gjykatën e Apelit Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, në një prononcim për mediet paralajmëroi se do t’i drejtohet Gjykatës së Lartë me një rekurs.
“Do shkojmë në Gjykatën e Lartë për rekurs. Vendimi i Gjykatës mbulon veprimet e qeverisë për ta trajtuar Himarën sikur të ishte në gjendje të jashtëzakonshme, por kjo nuk është e vërtetë. Ajo që po ndodh është suprimimi i organeve legjitimeve që burojnë nga zgjedhjet dhe me këtë kuptim, Gjykata sot la në fuqi vendimin e shkallës së parë, pa ndryshuar asgjë nga ai vendim”, tha avokati.
“Nuk na u dha arsyetimi i gjykatës për vendimin, pres të njihem tani me argumentet. Nuk u përjashtua as gjyqtarja, që ne e kishim kërkuar këtë pjesë. Qysh herën e shkuar gjyqtarja na paralajmëroi se nuk do jepte lejen, pasi na pyeti se ç’mendim kishim ne për nenin ku flitet për rrëzimin e kërkesës, që në atë moment ne kërkuam dhe përjashtimin e saj, por nuk u realizua”, tha avokati.
Ai paralajmëroi se nuk do ndalet së kërkuari revokimin e masës së sigurisë.
“Praktika e Strasburgut e lejon, që sa herë shihet mundësia për kërkimin e revokimit të masës së sigurisë, mundësisë për zëvendësimin e masës së sigurisë, ne ta realizojmë”, tha avokati.
Fredi Beleri u arrestua 2 ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit në afërsi të një lokali në Himarë, pasi u sipas prokurorisë dyshohet se u kap në flagrancë bashkë më bashkëpunëtorin e tij Pandeli Kokaveshi duke blerë vota.
Fraksion.com