AktualitetBota+Të fundit

Vriten tre ushtarë amerikanë në Jordani, Biden fajëson grupet e mbështetura nga Irani

Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se tre anëtarë të Ushtrisë amerikane janë vrarë dhe “shumë” të tjerë janë plagosur në një sulm me dronë ndaj forcave amerikane, që janë të stacionuara në verilindje të Jordanisë, afër kufirit sirian.

“Përderisa ne ende po mbledhim fakte për këtë sulm, ne e dimë që u krye nga grupet militante, që mbështeten nga Irani, të cilat operojnë në Siri dhe Irak”, tha Bideni përmes një deklarate më 28 janar.

“Ne do të vazhdojmë angazhimin e tyre për të luftuar terrorizmin. Nuk kam dyshim, ne do të mbajmë përgjegjës të përfshirët në kohën dhe mënyrën që ne do të zgjedhim”, shtoi presidenti amerikan.

Biden tha se sulmi ndodhi në orët e vona të 27 janarit. Ai nuk specifikoi numrin e personave të plagosur në këtë incident, por një zyrtar amerikan më pas tha se të paktën 34 anëtarë të personelit ishin evakuuar pas lëndimeve traumatike në tru.

Jordania dënoi atë që e quajti një “sulm terrorist” në një vend ushtarak, duke thënë se po bashkëpunonte me Shtetet e Bashkuara për të forcuar mbrojtjen e saj kufitare.

Më herët, një zëdhënës i qeverisë në Aman pretendoi se sulmi nuk ishte në tokën jordaneze, por në një bazë amerikane në Siri, pra përtej kufirit.

Detajet e sulmit nuk mund të verifikoheshin menjëherë, por sipas raportimeve ai ndodhi në Kullën 22, një vend që është nikoqir i një kontigjent trupash amerikane brenda Jordanisë, përgjatë kufirit me Sirinë.

Jordania është një aleate e ngushtë e SHBA-së në Lindjen e Mesme dhe Pentagoni ka të stacionuar afër 3.000 trupa në këtë shtet, që shpesh mbështesin veprimet në Siri.

Viteve të fundit, trupat amerikane kanë qenë aktive në Siri duke luftuar kundër Shtetit Islamik (IS) dhe grupeve të tjera terroriste.

Nëse konfirmohet se ka ndodhur në Jordani, atëherë do të ishte sulmi i parë që trupat amerikane shënjestrohen në këtë shtet që nga nisja e luftës midis Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – në Gazë.

Shumë vëzhgues kanë shprehur frikën për zgjerimin e konfliktit në Lindjen e Mesme, pasi nisi lufta në Gazë, që u nxit nga sulmet e Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor.

Si pasojë e sulmeve të Hamasit, afër 1.200 persona janë vrarë në Izrael, ndërkaq në Gazë nga ofensiva ushtarake izraelite janë vrarë mbi 26.000 palestinezë, sipas zyrtarëve lokalë.

Për shkak të mbështetjes së Izraelit, trupat amerikane kanë qenë në shënjestër të grupeve islamike në Lindjen e Mesme, përfshirë edhe nga rebelët e Huthit në Jemen, që mbështeten nga Irani, dhe grupet e milicive në Irak, që po ashtu mbështeten nga Teherani.

Fraksion.com