Historike! Talat Xhaferi kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut! Sot mblidhet Kuvendi për votimin e qeverisë së re
Talat Xhaferi do të drejtojë nga sot qeverinë në Maqedoninë e Veriut duke u bërë kështu i pari shqiptar kryeministër. Talat Xhaferi ka dorëzuar në Kuvend përbërjen dhe programin e qeverisë teknike, e cila do të ketë për detyrë të organizojë edhe zgjedhjet e dyfishta.
Për herë të parë, në Maqedoninë e Veriut, qeverinë do të drejtojë një shqiptar. Talat Xhaferi deri para pak ditësh kryetar i Parlamentit, do të marrë detyrën për të drejtuar qeverinë teknike. Talat Xhaferi ka dorëzuar në Kuvend përbërjen dhe programin e qeverisë teknike, e cila do të ketë për detyrë të organizojë edhe zgjedhjet e dyfishta, ato parlamentare dhe presidenciale që do të mbahen më 8 maj.
Ditën e djeshme, 26 janar, Presidenti Stevo Pendarovski, i dorëzoi mandatin Talat Xhaferit për përbërjen e re të Qeverisë teknike. Pjesë e Qeverisë teknike do të jetë edhe opozita maqedonase, bazuar në Ligjin për zgjedhje, me qëllim organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
Në një fjalim drejtuar kombit, kryetari i Bashkimit Demokrat për Integrim, Ali Ahmeti, e quajti një ditë historike për shqiptarët.
“Kjo ditë është historike se po bëhemi shtet me shoqëri të barabartë. Do të marrim përgjegjësinë për t’i prirë”, tha Ahmeti.
Opozita nuk voton për Talat Xhaferin
Opozita maqedonase që kryesohet nga VMRO DPMNE-ja, ka thënë se nuk do të votojë për zgjedhjen e Talat Xhaferit, pasi e akuzon për “shkelje të shumta ligjore” gjatë punës si kryetar i Kuvendit. Lideri i kësaj partie, Hritijan Mickoski përsëriti sot qëndrimin se partia e tij është e prerë për këtë vendim.
“Ai është njeriu i cili nga fillimi i tij e deri tani në fund si kryetar i Kuvendit ka bërë shumë veprime kundër kushtetuese dhe kundër ligjore, pavarësisht se të gjitha iniciativat e ngritura u rrëzuan nëpër gjykatat dhe prokuroritë e kurdisura. Por një ditë kur ato institucione do të lirohen nga prangat politike, do të jemi dëshmitarë të asaj që është bërë gjatë kësaj periudhe mbi gjashtë vjeçare duke filluar nga zgjedhja e tij në vitin 2017 e deri më sot. Pres vazhdimin e politikave të këqija nën udhëheqjen e Qeverisë nga Xhaferi. Edhe pse kemi thënë se më keq se kjo që ka ndodhur deri tani, nuk ka, por tani e tutje pres edhe më keq”, tha Hristijan Mickoski, Kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Por, mosvotimi i deputetëve të opozitës nuk e pengon formimin e qeverisë së re, meqë shumica parlamentare ka numrin e nevojshëm prej 61 votash për miratimin e qeverisë së re.
Si u premtua kryeministri i parë shqiptar?
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2020, Bashkimi Demokratik për Integrim që drejtohet nga Ali Ahmeti garoi me sloganin “Për kryeministrin e parë shqiptar”, ndërsa kandidat të saj kishte juristin dhe ish-politikanin Naser Ziberi.
Meqë zgjedhjet ishin fituar nga Lidhja Social Demokrate, kryeministër ishte zgjedhur Zoran Zaev, që atëkohë drejtonte LSDM-në.
Por, për të përmbushur premtimin e BDI-së, Zoran Zaev dhe Ali Ahmeti në marrëveshjen për bashkëqeverisje ishin pajtuar që në 100 ditët e fundit të punës së Qeverisë, kryeministër të caktohet një kandidat i propozuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Ahmeti propozoi Talat Xhaferin.
Përbërja e qeverisë teknike
VMRO DPMNE-ja do të udhëheqë dy ministri, atë për Punë të Brendshme dhe Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, si dhe me tri poste të zëvendësministrave, me kompetenca të veçanta. Ndryshime të tjera në qeverinë e re pritet në postin e zëvendëskryeministrit të parë. Tani në vend të Artan Grubit të BDI-së, në këtë post do të jetë Bojan Mariçiq nga LSDM-ja, i cili aktualisht është zëvendëskryeministër për çështjeve evropiane.
Zv.kryeministër i Parë, sipas Marrëveshjes LSDM – BDI, do të jetë Bojan Mariçiq, i cili mbetet edhe zv.kryeministër për Çështje Evropiane.
Opozitës i takojnë vendet ministrore në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ministrinë për Punë dhe Politikë Sociale dhe zv.ministra plotësues në Ministritë e Financave, për Shoqëri Informatike dhe Administratë dhe Bujqësi.
Në Qeverinë Teknike VMRO-DPMNE-ja ka propozuar Pançe Toshkovskin si kandidat për Ministër të Brendshëm Teknik, Gjoko Velkovskin, kandidat për Ministër Teknik për punë dhe politikë sociale, Elena Petrovën, kandidate për Zv/Ministre plotësuese për Financa, Cvetan Tripunovskin kandidat për zv.ministër plotësues për Bujqësi dhe Stefan Andonovskin Zv/Ministër plotësues për Shoqëri Informatike dhe Administratë.
Dihen edhe emrat e Ministrave dhe Zv/Ministrave plotësues nga radhët e LSDM-së. Mitko Bojmacaliev – shefi i Kabinetit të Oliver Spasovskit është kandidat për Zv/Ministër të Brendshëm plotësues. Në vendet ministrore në kulturë, ambient jetësor, transport, mbrojtje dhe bujqësi janë propozuar ministrat e deritashëm.
Për zv.ministra plotësues nga LSDM-ja janë propozuar Viktorija Avramovska – Madiq në Ministrinë e Drejtësisë, Maja Manoleva në Ministrinë e Shëndetësisë, Aleksandar Bajdeski në Ministrinë për Shoqëri Informatike dhe Administratë, Filip Nikolovski në Ministrinë për Financa dhe Miki Krstev në Ministrinë për pushtet lokal dhe Jovana Trençevska në Ministrinë për Punë dhe Politikë Sociale..
Fraksion.com