AktualitetPolitikëTë fundit

“Më shkroi mesazh që…”, Rama: Ministri i Jashtëm bëri një operacion në spitalin e ri të sëmundjeve të brendshmeve në QSUNT

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot, se shërbimi spitalor publik sot ka kushte shumë më të mira se disa vite më parë

Në aktivitetin për autonominë menaxheriale për QSUNT dhe 4 spitale rajonale, ku mori pjesë dhe ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu, Rama u shpreh se, “është e disata herë në vazhdën e kohës që mblidhemi këtu me ju për arsye të ndryshme që kanë qenë të lidhura me momente zhvillimi në ecurinë e kësaj përpjekje të filluar në kushte, të cilat sot duken sikur nuk kanë ekzistuar kurrë, në kushte që sot ngjajnë të paimagjinueshme që kanë qenë pjesë e jetës së trupës mjekësore dhe të shërbimit shëndetësor dhe pjesë e jetës së qytetarëve tanë”.

“Të gjitha pamjet që shohim mbrapa janë pamje nga realiteti i sotëm i spitaleve dhe 7,8,9,10 vite më parë këto pamje do të ishin thjesht dhe vetëm pamje të një dëshire të një ëndrre që dukej absolutisht e pamundur të realizohej në një kohë relativisht të shkurtër”, tha Rama.

Por, shtoi kreu i qeverisë, “sot jemi në një stad krejt tjetër dhe këtë unë mund ta konfirmoj si pacient i QSUT dhe jo më larg se pardje ministri i Jashtëm bëri një operacion në spitalin e ri të sëmundjeve të brendshmeve dhe më shkruante mesazh që nuk e besoj dot akoma që ky është spitali ynë në Tiranë sepse ai mori detyrën duke ardhur nga shërbimi diplomatik jashtë”.

“Dhe kështu dëshmojnë shumë njerëz që kanë kaluar nga ai spital, i cili është padyshim për nga kushtet, por unë mund të them dhe nga ekspertiza e mjekëve aty, ndër spitalet e mira të Evropës”.

“Dhe patjetër që më vjen mirë që ta kujtoj çfarë më tha një nga operuesit e mi, dhe po e citoj meqë ai nuk dyshohet për patronazhist sepse është demokrat 24 karat, që ishte nder tha që të kishim në sallën e operacionit për herë të parë në historinë e shërbimit shqiptar shëndetësor një kryeministër, se gjithë të tjerët s’kanë kaluar kurrë nga shërbimi shëndetësor”, theksoi Rama.

 

Fraksion.com