Erdogan miraton anëtarësimin e Suedisë në NATO
Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan miratoi të enjten kërkesën e Suedisë për t’u anëtarësuar në NATO, duke i dhënë kështu fund një vonese disa mujore në procesin e konfirmimit nga Turqia.
Hungaria mbetet tani e vetmja pengesë në rrugën e anëtarësimit të Stokholmit në aleancën ushtarake.
Nënshkrimi nga zoti Erdogan ishte hapi i fundit në proces pasi kërkesa u ratifikua nga parlamenti turk. Miratimi u bë rreth 20 muaj pasi Stokholmi kërkoi të anëtarësohej në aleancë, pasi filloi agresioni i Rusisë në Ukrainë.
“Ne mirëpresim ratifikimin nga Turqia të kërkesës së Suedisë për t’u anëtarësuar në NATO. Kemi arritur në një moment historik vendimtar në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në NATO,” tha kryeministri suedez Ulf Kristersson në rrjetin e mediave sociale X.
“Tani mbetet vetëm ratifikimi i Hungarisë në mënyrë që Suedia të bëhet anëtare e NATO-s”, u shpreh në X, ministri i Jashtëm suedez Tobias Billstrom.
Ratifikimi nga parlamenti i Turqisë të martën i dha zgjidhje pengesës më të madhe të mbetur për hyrjen e Suedisë në NATO.
Presidenca turke tha se zoti Erdogan kishte miratuar protokollin e pranimit të Stokholmit në aleancë.
Vonesa kishte ngjallur pakënaqësinë e disa prej aleatëve të Ankarasë, por nga ana tjetër i siguroi disa avantazhe Turqisë.
Ankaraja pret tani që Shtetet e Bashkuara të fillojnë punën për të siguruar miratimin nga Kongresi amerikane të shitjes së avionëve luftarakë F-16 për Turqinë me vlerë prej 20 miliardë dollarësh.
Zoti Erdogan e kishte kushtëzuar miratimin e kërkesës së Suedisë me miratimin e shitjes së avionëve.
Miratimi vjen një ditë pasi presidenti amerikan Joe Biden u dërgoi një letër drejtuesve të komisioneve kryesore të Kongresit ku i informonte se synonte të fillonte procesin zyrtar të njoftimit për shitjen e avionëve F-16, sapo Ankaraja të përfundonte procesin e miratimit për anëtarësimin e Suedisë në NATO.
Sipas rregullave të NATO-s, dokumenti përfundimtar i miratimit nga Ankaraja tani dërgohet në Uashington.
Fraksion.com