AktualitetBota+Të fundit

“Energji elektrike prodhuar me forcat tona nga dielli dhe era”

Një kooperativë qytetarësh gjermanë është kthyer në pioniere të rrugëve të reja të prodhimit të energjisë së fituar nga burime ekologjike. Por ajo ndesh në pengesa për shpërndarjen e energjisë përmes rrjetit publik.

Bürgerenergie Rhein-Sieg, një kooperativë qytetare për prodhimin e energjive të renovueshme, me qendër në Siegburg, të landit gjerman të Renanisë Veriore Vestfalisë, kërkon të ngrejë një park për prodhimin e energjisë diellore në një tokë që ka marrë me qira, në një vend ku dikur hidheshin plehrat. Që në vitin 2011 më shumë se 350 vetë kanë mbledhur forcat, për të financuar hapat e ardhshëm të prodhimit ekologjik të energjisë elektrike.

Në Gjermani janë krijuar gati 900 grupe qytetare për prodhimin e energjisë komunitare. Në gjithë Bashkimin Europian janë krijuar gjithsej 9000 grupe të tilla, pjesa më e madhe e të cilave në veri të Europës. Anëtar i tyre mund të bëhet kushdo duke blerë një ose më shumë “aksione të kooperativës”. Në kooperativën Rhein Sieg, për shembull një aksion kushton 250 euro. Si këmbim anëtarët marrin përqindje nga investimi i tyre dhe pjesë nga paratë e fituara prej energjisë elektrike, që derdhin në rrjetin publik të energjisë elektrike.

Thomas Schmitz, drejtori vullnetar i kooperativës, do që rrymën elektrike të prodhuar nga kolektivi ta shpërndajë dhe ta shesë në rajon duke përdorur një model që njihet si “energy sharing” – “ndarja e energjisë me të tjerët”.

BE-ja mbështet kooperativat qytetare të energjisë

BE-ja e vlerëson ndarjen e energjisë me të tjerët si kusht për decentralizimin e tregut europian të energjisë. Brukseli thotë se vendet anëtare të BE-së duhet të fuqizojnë komunitetet qytetare të energjisë ekologjike dhe të krijojnë mundësinë që ato të jenë në gjendje të konsumojnë, mbledhin dhe shesin energjinë që prodhojnë. E gjitha kjo, thotë BE, duhet të mbështetet nga ligjet kombëtare të vendeve anëtare të unionit. Por Thomas Schmitz i tha Deutsche Welles, se kjo gjë nuk është e mundur: “Aktualisht, ne nuk lejohemi t’i japim energjinë e prodhuar vetë, as vendit fqinjë ngjitur.”

Çfarë e pengon në Gjermani ndarjen e energjisë me të tjerët?

Në përgjigje të pyetjes së bërë nga Deutsche Welle, Ministria gjermane e Ekonomisë dhe e Mbrojtjes së Klimës thotë se ligjet e BE-së nuk krijojnë mundësi për trajtim të privilegjuar të energjisë së prodhuar nga kooperativat, por krijojnë mundësi për trajtim jo-diskriminues të kooperativave që prodhojnë energji të rinovueshme.

Në thelb problemi ka të bëjë me përdorimin e rrjetit publik të energjisë: Energjia elektrike e prodhuar nga kolektivat qytetare të energjisë për konsum të anëtarëve të kooperativës nuk mund të transmetohet nëpërmjet rrjetit publik të energjisë. Por kjo gjë është e domosdoshme në mënyrë që ndarja e energjisë me të tjerët të jetë e suksesshme. “Kjo faktikisht nuk është e mundur në Gjermani,” thotë Valerie Lange nga Aleanca qytetare për energjinë (BBEn), një organizatë mëmë e projekteve qytetare të energjisë.

Për më tepër, sipas ligjeve në Gjermani, edhe nëse një gjë e tillë do të ishte e mundur, shitja e energjisë së prodhuar nga qytetarët duke përdorur rrjetin publik, për shembull për ta dërguar energjinë tek fqinji ngjitur ose tek një ndërmarrje ekonomike në rajon, nuk do të ishte me fitim, thotë Felix Schäfer, bashkëkrijues dhe bashkëkryetar i Bürgerwerke, një shoqëri tregtare që tregton energjinë e prodhuar në Gjermani nga kolektivat e energjisë së renovueshme.

Pagesat e shtrenjtojnë ndarjen e energjisë me të tjerët

“Në Gjermani, kushdo që shet energji elektrike duke përdorur rrjetin konsiderohet automatikisht tregtar energjie dhe duhet të paguajë taksa, sipërshembull taksat e energjisë elekrike, dhe duhet t’i paguajë tarifa  transmetimi operatorëve të rrjetit,” shpjegon Schäfer. Ai thotë se kooperativat e ndarjes së energjisë me të tjerët, duhet t’ia kalojnë kostot konsumatorëve. Kjo e gjitha do të kërkonte forca të mëdha nga kooperativat e vogla të energjisë, të cilat mbahen kryesisht nga njerëz që bëjnë punë vullnetare.

Thelbi është që për konsumatorët, marrja e energjisë elektrike prodhuar me rrugë ekologjike nga rajoni do të ishte po aq e shtrenjtë sa do të ishte marrja e energjisë së prodhuar në hidrocentralet e Norvegjisë, thotë Schäfer. Aktualisht, hidrocentralet e Norvegjisë furnizojnë me energji elektrike gati 3,6 milionë ekonomi shtëpiake të Gjermanisë.

Kooperativat bëjnë thirrje për reduktimin e pagesave

Meqenëse taksat e energjisë elektrike në Gjermani, nuk vihen mbi prodhuesit  “privatë të energjisë elektrike që prodhojnë energji nga panelat diellorë të vendosur mbi çati”, pronarët e shtëpive mund të përdorin energji elektrike prodhuar nga sistemi diellor i subvencionuar nga shteti shumë lirë, shpjegon Schäfer. “Nga ana tjetër, për qeramarrësit që duan të përdorin energji elektrike ekologjike nga një park komunal solar që ndodhet afër, marrja e energjisë do ishte shumë më e shtrenjtë.”

Prandaj organizata e Schäferit bën thirrje për reduktimin e pagesave për energjinë e prodhuar nga kooperativat, si për shembull taksave të elektricitetit dhe pagesave të transmetimit.

BBEn, Aleanca qytetare për energjinë në Gjermani, thotë se qeveria federale duhet të krijojë stimuj financiarë për ndarjen e energjisë me të tjerët. Gjermania ka deklaruar se deri në vitin 2030 do të prodhojë 80 përqind të energjisë elektrike me rrugë të renovueshme. Por deri tani vetëm gjysma e këtij synimi është realizuar.

“Që të arrijmë këtë synim, ne kemi nevojë për para për turbinat e erës dhe parqet diellorë. Këto parqe diellorë do të jenë më të dukshëm se sa centralet qëndrore të prodhimit të energjisë me karburante. Sepse ato do të jenë pranë shtëpive,” thotë Valerie Lange, nga BBEn.

Energjia qytetare duhet t’ia vlejë 

Lange thotë se që t’i bindësh njerëzit që të bëjnë kalimin nga energjia e prodhuar me karburante në energji të prodhuar me rrugë të renovueshme dhe të realizojnë objektivat, “duhet të krijosh mundësinë që ata të marrin pjesë në prodhimin e energjisë dhe të përfitojnë prej saj”. Por që të ndodhë kjo, thotë ajo, parqet e tyre diellore duhet të jenë me përfitim financiar.

BBEn thotë se të gjithë palët e interesuara që jetojnë në distancë 50 kilometra duhet të kenë mundësi të marrin pjesë në parqet qytetare të energjisë. Një shpërblim i dhënë nga shteti për energjinë elektrike duhet të krijojë mundësinë që parqet e energjisë ekologjike të jenë në gjendje të shesin energjinë me çmime të mira. Kjo do të krijonte nxitjen për të përdorur energjinë e renovueshme.

“Smart meters” përdoren rrallë

Që të ndodhë kjo duhet që të gjitha palët të dinë sa energji elektrike vjen nga centralët rajonalë dhe sa energji vjen nga burimet e tjera, dhe kur vjen kjo energji. Këto të dhëna mund të merren nga “smart meters,” matësa digjitalë energjie elektrike që masin konsumin në kohë reale.

Por në Gjermani, vetëm 3 përqind e konsumatorëve të energjisë kanë matësa të tillë. BBEn propozon që këta matësa të vendosen në ndërtesat dhe ekonomitë shtëpiake që janë të interesuara të marrin pjesë në ndarjen e energjisë elektrike me të tjerët.

Me forcat e veta është motiv i fortë

Thomas Schmitz nga kooperativa Rhein-Sieg thotë se interesimi për të marrë pjesë në parqet diellorë të lagjes, rritet kur njerëzit mund të përfitojnë prej tyre. “Njerëzit e kanë kuptuar se varen shumë nga blerja e energjisë elektrike prej vendeve prej të cilave ata nuk duan më të blejnë energji. Dëshira për të prodhuar me forcat e veta është e madhe,” thotë Schmitz. “Nëse ata nuk mund të prodhojnë më energji në nivel lokal, atëherë duan të paktën ta marrin energjinë nga rajoni.”

Por që të ndodhë kjo, Gjermanisë i duhet të krijojë kushtet që e bëjnë ndarjen e energjisë me të tjerët faktorin kryesor të kalimit të Gjermanisë në vend që e prodhon pjesën më të madhe të energjisë nga burime të renovueshme.

Ky artikull është pjesë e një serie me pesë artikuj mbi komunitetet e energjisë në Bashkimin Europian, të cilat janë mbështetur nga Journalismfund Europe./DW

 

Fraksion.com