AktualitetPolitikëTë fundit

Autonomia Spitalore, Rama: Mjekët në spitalet publike mund të punojnë jashtë orarit, të marrin 70%, 30% i kalon spitalit

Pas Spitalit Rajonal “Memorial” në Fieri, edhe pesë spitale të tjera në vend kanë përfituar Kartën e Autonomisë Menaxheriale.

Në ceremoninë e mbajtur sot në spitalin Memorial rajonal të Fierit, ku i pranishëm ishte dhe kryeministri Edi Rama  janë shpërndarë kartat e Autonomisë Spitalore edhe për 4 spitale të tjera rajonale, Durrësit, Vlorës, Shkodrës dhe QSUT.

Teksa theksoi se shërbimi në spitalet publike ka kaluar në një tjetër nivel, duke konkurruar edhe ato në strukturat private, kreu i qeverisë dha lajmin se në të gjithë spitalet publike që do të pajisen me kartën e autonomisë spitalore, mjekët do të kenë mundësi që pas orarit të punës të ofrojnë edhe shërbim jashtë orarit dhe të marrin 70% të pagesës për këtë shërbim, ndërsa 30% i kalojnë spitalit.

“Sot jemi në një fazë tjetër, hyjmë në kapitull të ri falë faktit që spitali Memorial shërbeu për të pilotuar autonominë menaxheriale. Synojmë të hapim në këto spitale që do marrin kartën e autonomisë menaxheriale, edhe praktikën e dyfishtë. Mjekët që japin shërbim në këto spitale dhe janë të dëshiruar të japin shërbim përtej orarit të rregullt të punës, të ofrojnë shërbim ekstra me pagesë ku 70% e pagesës e merr mjeku dhe 30% i mbeten spitalit. Në këtë mënyrë hyn më në fund në Europë në kuptimin e konceptimit të sistemit publik, si një sistem ku mjekët nuk janë rrogëtarë, nuk janë të detyruar të shohin majtas apo djathtas për të shkuar tek privati ku mund të paguhen më shumë. Por çdo mjek që kërkohet nga qytetarët për t’u shërbyer atyre, të mund të punojë edhe jashtë orarit dhe të paguhet më shumë”- tha Rama.

 

Fraksion.com