Trump mposht Haleyn në zgjedhjet fillestare në Nju Hempshër
Ish-presidenti amerikan Donald Trump, ka fituar në zgjedhjet fillestare për president në Nju Hempshër, duke iu afruar edhe më shumë nominimit të republikanëve në garën e madhe të nëntorit.
Pas gati 80 për qind të votave të numëruara, Trump ka fituar bindshëm, me 11 për qind më shumë përparësi sesa konkurrentja Nikki Haley.
Haley, ish-ambasadore e SHBA-së në Kombet e Bashkuara, është zotuar se do të vazhdojë garën, pavarësisht humbjes të së martës.
Trump, 77-vjeçar, e ka sulmuar Haleyn në fjalimin e fitores dhe ka thënë se kur të mbahen zgjedhjet fillestare në vendlindjen e saj, në Karolinën e Jugut, “ne do të fitojmë lehtë”.
Në fjalimin e tij ai ka bërë paralajmërime edhe për imigrimin dhe i ka përsëritur pretendimet e pavërteta për mashtrime zgjedhore në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.
Haley, në anën tjetër, ka insistuar që gara është “larg përfundimit” dhe u ka thënë mbështetësve se demokratët duan më shumë garë me Trumpin, për shkak të historikut të tij “kaotik”.
“Ata e dinë se Trumpi është republikani i vetëm në shtet, të cilin mund ta mposhtë Joe Biden”, ka thënë Haley, 52-vjeçare.
Pavarësisht se Nju Hempshër i është shtuar në listën e shteteve të fituara, pas Ajovës, Trump ka vazhduar me retorikën e tij të ashpër, pa dhënë sinjale se synon të fitojë mbështetjen e votuesve më të moderuar, të cilët përkrahin Haleyn.
Në një moment të paraqitjes televizive, Trump ka thënë se Shtetet e Bashkuara “janë të dështuara”, dhe ka pretenduar se migrantët pa dokumente janë duke u nisur drejt SHBA-së prej spitaleve psikiatrike dhe burgjeve, “për të vrarë shtetin tonë”.
Presidenti aktual amerikan, Joe Biden, ka thënë më pas se “tani është e qartë se Donald Trump do të jetë i nominuari i republikanëve”.
“Mesazhi im ndaj shtetit është se rreziku nuk ka mundur të jetë më i madh. Demokracia jonë. Liria jonë personale – prej të drejtës për të votuar”, ka thënë Biden përmes një deklarate.
Betejë e ashpër potenciale Biden – Trump
Me një dalje të madhe në zgjedhje në këtë shtet verilindor, Haley ka shpresuar për një fitore bindëse.
Mirëpo transmetuesit amerikanë e kanë parashikuar shpejt humbjen e saj, pas daljes së rezultateve të para.
Trump veçse ka qenë favorit në sondazhet kombëtare të republikanëve, pavarësisht dy tentimeve për shkarkim, sa ka qenë president, dhe katër padive që rëndojnë mbi të tani.
Ndonëse Haley e ka vënë vazhdimisht në pikëpyetje shëndetin mendor të Trumpit, përpjekjet e saj në Nju Hempshër nuk kanë rezultuar me sukses, edhe për shkak të rritjes së përkrahjes për krahun e djathtë.
“Mendoj që tani është gara në mes të Trumpit dhe Bidenit”, ka thënë Keith Nahigian, veteran i gjashtë fushatave presidenciale dhe ish-anëtar i ekipit transitor të Trumpit, në disa përgjigje për agjencinë e lajmeve AFP.
Nju Hempshër është konsideruar si shtet më miqësor për Haleyn, në krahasim me garën që do të ketë në shtetet tjera, nëse e vazhdon garën.
Sidomos gara në vendlindjen e saj, në Karolinën e Jugut, do të jetë sfida e saj më e madhe.
Pamje e zymtë për Haleyn
Trump ka shënuar fitore bindëse në garën e parë republikane të zhvilluar javën e kaluar në Ajova, ku Haley ka dalë e treta.
Fillimisht garën e kanë nisur 14 republikanë për të fituar nominimin e republikanëve në garën për president, mirëpo lista është ngushtuar tani në dy, pasi guvernatori i Floridas, Ron DeSantis ka hequr dorë prej garës të dielën.
Trump ka bërë pak fushatë në Nju Hempshër.
Megjithatë, mesazhi i tij – përzierje mes ankesave të tij personale dhe kulturës luftarake të krahut të djathtë, që mbizotëron në kampin e tij – krijon një lloj momentumi, që për përkrahësit e tij, ia mundëson kthimin në Shtëpinë e Bardhë.
“Mendoj që Biden do të largohet”, ka thënë Luis Ferre, 72-vjeçar, i cili ka udhëtuar prej Nju Jorkut për të qenë pjesë e festës së Trumpit në hotelin Nashua.
Haley ka përsëritur gjatë gjithë javës së shumica e amerikanëve nuk e duan një rikthim të garës Trump-Biden.
Megjithatë, kjo nuk duket se është mjaftueshëm për të shmangur një skenar asisoj.
“Mbështetësit e Nikki Haleyt do të ndihen se nata e së martës në Nju Hempshër ka qenë natën e mirë. Mirëpo sapo të dalin të gjitha rezultatet, mbështetësit e saj do të shikojnë zymtësinë”, ka thënë Aron Solomon, analist politik për agjencinë e marketingut, Amplify.
Natë e mirë për Bidenin
Biden, ndërkohë, ka shënuar një fitore jozyrtare në zgjedhjet fillestare të demokratëve në Nju Hempshër, duke ia dhënë një shtytje simbolike.
Presidenti e ka kaluar ditën duke bërë fushatë, bashkë me nënpresidenten Kamala Harris, në Virxhinia, në një marsh për të drejtat për abortin.
Meqenëse Trump lavdëron veten për rolin që ka pasur për t’i dhënë fund të drejtës kushtetesue për abortin në SHBA, Biden i ka thënë një turme se ky republikan është i vendosur që me çdo kusht të vendosë kufizime shtesë./REL
Fraksion.com