Kryetari i Komitetit Ushtarak të NATO-s: Anëtarësimi i Malit të Zi në NATO është i mirë për rajonin dhe për të gjithë aleancën
Më 23-24 janar 2024, Kryetari i Komitetit Ushtarak të NATO-s, Admirali Rob Bauer vizitoi Malin e Zi me ftesë të Shefit të Mbrojtjes së Malit të Zi, gjeneralbrigade Zoran Lazarević. Gjatë qëndrimit në Podgoricë, Kryesuesi u takua me Presidentin Jakov Milatoviq, zëvendëskryeministrin, z. Aleksa Beçiq dhe ministrin e mbrojtjes, z. Dragan Krapoviq. Ai gjithashtu mbajti një ligjëratë në Universitetin Donja Goricë, me titull “Rruga përpara, nga Vilnius në Uashington”.
Pas një ceremonie të shkurtër mirëseardhjeje dhe roje nderi, Kryetari i Komitetit Ushtarak të NATO-s, Admirali Bauer dhe Shefi i Mbrojtjes së Malit të Zi, gjeneralbrigade Lazarević diskutuan rezultatet e takimit të fundit të Shefave të Mbrojtjes dhe ndikimin mbi aleatët, përfshirë Malin e Zi. “Planet e reja të mbrojtjes së NATO-s u ranë dakord në Samitin e Vilniusit vitin e kaluar, që nga ajo kohë Aleatët kanë punuar për të maksimizuar ekzekutimin e këtyre planeve që do të ushtrohen për herë të parë, nga të 31 aleatët, gjatë Steadfast Defender 24. Kjo do të jetë një mundësi vendimtare për Malin e Zi për të testuar mbrojtjen, aftësitë dhe forcat ekzistuese, por edhe për të identifikuar fushat e mundshme për t’u përsosur”, tha Kryetari.
Duke folur me zëvendëskryeministrin malazez, z. Aleksa Beçiq dhe ministrin e mbrojtjes, z. Dragan Krapovic, Admirali Bauer përgëzoi Malin e Zi për kontributin e tij në Aleancë. “Gjatë 7 viteve të fundit, Mali i Zi është bërë një aleat i çmuar dhe i vlefshëm i NATO-s, duke dhënë shumë kontribute për sigurinë tonë të përbashkët, duke përfshirë misionet tona në Kosovë dhe Irak, si dhe grupet tona luftarake shumëkombëshe në Bullgari dhe Letoni. Kjo tregon se Mali i Zi është një vend që merr përgjegjësinë për sigurinë tonë të përbashkët”, nënvizoi Admirali Bauer.
Në takimin e tij me Presidentin e Malit të Zi, z. Jakov Milatoviç, Admirali Bauer vuri në dukje vendimin e fundit të marrë nga qeveria malazeze për të rritur shpenzimet e mbrojtjes kombëtare sipas premtimit të NATO-s prej 2%. “Mbrojtja kolektive fillon me një mbrojtje të fortë kombëtare. Prandaj, është e rëndësishme të rrisim aftësitë tona ushtarake dhe kjo mund të bëhet vetëm me më shumë shpenzime për mbrojtjen. Kjo rritje do të përkthehet në më shumë investime në mbrojtje, veçanërisht në pajisje të reja të mëdha. Një mbrojtje më e fortë kombëtare krijon një Aleancë edhe më të fortë”, shtoi Admirali.
Gjatë vizitës së tij, Admirali Bauer mbajti edhe një leksion për studentët, pedagogët dhe personelin ushtarak në Universitetin e Donja Goricës. Në fjalën e tij, ai theksoi ndryshimet thelbësore në sigurinë tonë globale, duke trajtuar ndikimin e luftës së paligjshme dhe brutale të Rusisë kundër Ukrainës, dhe përgjigjen e NATO-s me parandalim dhe mbrojtje të shtuar.
Fraksion.com