AktualitetLife StyleRajoniTë fundit

Dilema e venecianëve: Të shpëtohet laguna apo qyteti?

Ka më shumë se 1600 vjet që Venecia mrekullon botën. Po kaq e hershme është edhe frika se qyteti mund të përmbytet dhe mund të zhduket nën ujë. Përpjekja e fundit për ta mbrojtur qytetin nga uji i tepërt ka të bëjë me ngritjen e një sistemi të nënujor të 78 mureve të hekurta që bëjnë ndarjen e lagunës nga deti, sistem që quhet MOSE.

Elisabetta Spitz, Arkitekte dhe komisare për mbrojtjen e Venecias nga përmbytjet: „Po të mos ishte MOSE, Venecia do të ishte shkatërruar më 22 nëntor të 2022 në mënyrë të pariparueshme. Atë ditë ne patëm përmbytjen e dytë më të madhe në historinë e qytetit, por pasoja nuk pati dhe ne arritëm ta mbronim lagunën dhe Venecian.”

52 herë ka dhënë Elisabetta Spitz urdhërin për të ngritur portat e ujit. MOSE është duke u përdorur gjithnjë e më shumë. Tani sistemi është duke u vënë krejtësisht në punë.

Elisabetta Spitz: “Tani ne e dimë se MOSE është një instrument fleksibël që nuk mbyllet gjithnjë dhe në të njëjtën kohë. Sot ne dimë shumë më tepër për valët e përmbytjeve dhe erërat, prandaj ne jemi në gjendje që të luftojmë përmbytjet, jemi në gjendje ta përdorim MOSE edhe pjesërisht, duke garantuar kështu kalimin e ujrave midis detit dhe lagunës.“

A mbrohet pra Venecia në këtë mënyrë? Këshilli botëror i klimës thotë paraprakisht se deri në fund të këtij shekulli niveli i ujrave të qytetit do të rritet me 60 centimetra. Nëpërmjet sistemit MOSE Venecia vetëm sa ka fituar kohë, thotë oqeanografi Georg Umgiesser. “A mjafton MOSE për të shpëtuar Venecian? Po, tani për momentin dhe në dhjetë, njëzetë dhe tridhjetë vjetët e ardhshme, me siguri. Por nëse niveli i ujrave rritet me 50 centimetra, atëherë sistemi duhet të vihet në përdorim 300 deri 400 herë në tviz, që do të thotë përditë nga një herë. Por sistemi i tejkalon kështu kapacitetet e veta. Ai nuk është më në gjendje të funksionojë. Nuk është më MOSE në gjendje të funksionojë, por nuk është më në gjendje as laguna, sepse laguna ka nevojë për qarkullimin e ujrave.”

Në Institutin për studimin e ujrave punon edhe Marco Sigovini që merret me studimin e sistemit ekologjik të lagunës. Frekuenca me të cilën vihet MOSE tani në përdorim nuk ka pasoja të mëdha, thotë biologu. Por kjo gjë do të ndryshojë, kur pas disa vitesh laguna të ndahet gjithnjë e më shpesh dhe për një kohë gjithnjë e më të gjatë, nga deti. “Mund të ndodhë që të vijë një ditë që të duhet të marrim vendim nëse ka kuptim që të vazhdosh ta mbash lagunën si lagunë uji të kripur. Me mbylljet për një kohë të gjatë të portave qarkullimi i ujrave midis lagunës dhe detit, që është fundamental për Venecian, do të ndërpritet. Nëpërmjet këtij qarkullimi formohet bazamenti i lagunës dhe prej tij varen llojet e bimëve dhe kafshëve që jetojnë atje. Ne do të ndodhemi para marrjes së vendimeve të vështira.”

Dhe duhet pasur guxim. Shpesh harrohet, thotë Umgiesser, se 150 vitet e fundit niveli i Venecias ka rënë 30 centimetra. Arsyeja: nga bazamenti i qytetit është pompuar shumë ujë nga ujrat bazë nëntokësorë. Por niveli i ujrave bazë nëntokësorë mund të ndihmojë për shpëtimin e qytetit nga rrënimi. “Nëse ujrat që janë nxjerrë me pompë nga ujrat nëntokësorë, kthehen sërish aty ku ishin atëherë niveli i Venecias do të rritej sërish me 30 cm. Dhe kjo rritje niveli do të thoshte që në këtë mënyrë ne do të fitonim 30 cm që kemi humbur 150 vitet e fundit, pra si të thuash ne do të ktheheshim sërish në nivelin zero.”

Por Venecia nuk do të jetojë përjetësisht kështu siç e njohim ne, thotë studiuesi i ujrave. Dikur do të vijë dita që deti të ndahet nga laguna.

Një vendim i vështirë. Venecianet dhe venecianët shpresojnë që ta shtyjnë sa më shumë marrjen e vendimit.

Të shpëtohet laguna apo të shpëtohet qyteti? Venecianët do donin t’i shpëtonin të dyja./DW

 

Fraksion.com