AktualitetOp-EdTë fundit

“U fikën dritat e Klosit i dridhej mjekrra”, Gjekmarkaj: Kënga e Mamicës, isoja e Mimi di Puçinit dhe ditëlindja

Nga Agron Gjekmarkaj

Mamicës vetëm një preteks i kishte munguar për të shfaqur lirizmin e saj atë ndërthurje kërshërore rrënqethjesh e tingujsh.

Mbyllen dyert me shula, vunë ca arka nga pas dhe qepenat e saraçineskat ulen. Kur të gjithë të sigurt se askush nuk do trokiste në derë dhe asnjë hije nuk do shfaqej në dritare, ashtu të përdellyera nga gëzim i festës dhe nga gërryerja që shkaktonte muzika xhaz, Mamica dhe Mimi di Puçini brofen drejt një divani i cili në gjysëm errësirë ngjante me një tempull të ahengut të epërm. Kur të gjithë i hidhnin gjyrykut verë, e cila si përrua vërshonte aty lugjeve pa pengesa në mes të sallës si thagem e epërme u dëgjua zëri i Mamicës, ashtu intens, një me xhanin, i thellë me rrënjët te kujtesa e një kohe pa mbarim, me shikimin drejt një përhumbjeje që tejkalon ëndërrat.

Çuçit i pikoi mideja llaftar dhe një ‘au iu au iu’ leshoi në ajër si rakete patriot qe fluturon drejt kenaqesise per të shkaterruar çdo brengë e maraz teksa Mamica ende më e shtronte zënë e qashter në temjan.

Ulsiu sapo erdhi lypi diçka me lugë. Tasqebap i sollen. Shtermbëroi turinjtë por se lëshoi veten, mendoi që koprac i madh ky Klosi që bën ziafet, për të mbledhë dhurata e ja na qet gjepura për të ngrënë.

Pat uri dhe e mbaroi të gjithën ashtu buzëvarur, por nuk kaloi shumë dhe dëgjoi si të prera në stomak. I ndenjur kishte qënë ai helm dhe iku i pari. Shalsi me shikimin përqendruar tek një tufe me kallamboqa, varur në tra përvajshëm nanuriste një melodi “O Mari Maria faqe gurabia, o Marjane Marjana faqet me nishana”!

Kur të gjithë po gëzonin me dalldi, Çyrbja si bombë në mes të sallës tha “me shkruajnë se Luan Baçi me krifen e tij si Akili dhe Mond Spaho me një qyski në dorë janë parë këtej rrotull”! Filloi vaji e piskama. U fikën drita, vetëm sytë e Ogit bënin dritë si qiri shprese. Klosit i dridhej mjekrra, “sot ditën e përvjetorit tim e gjetën këta lugetër që mos bëfshin hajër?!”. Antoneta Dhimua i lëmonte kokën me dorë dhe e tërhiqte, që të fshihej në një dollap enësh.

Niko me një radio marrëse përpiqej të lidhej me ushtrinë po nuk kishte valë.

Tao mbahej dhe aty për aty krijoi një shtab vetëmbrojtjeje. “Mos bini në panik këshilloi, policia ka makina të reja që jua rrëmbyem miseve do mbërrijnë shpejt, por mbajeni mend kur PD të ketë Krishtëlindjen e vet ose Lulelindjen dhe portreti i tij engjullor të shfaqet mbi tavan, bash atëherë Vullnet Sina, Xhemal Qefalia dhe Nasipi të mbështjellë me gjellë, do afron ngadalë sikur janë pemë dekorative dhe do hedhin tymuese pastaj do hymë në trimat dhe do i përdafim”. Vetëm kur Çyrbja tha bëra shaka Etildes ju thanë lotët e ngrohtë. Erdhi ora për të hapur peshqeshet! Natyrisht vëmendjen më të madhe e mori ajo e Babos, i cili i kishte mbështjellë një pistolete lodër me gogla. Nuk dinin ç’të thonin, si ta interpretonin. Braçja i dha zgjidhje. Babua e di që lufta do bëhet më e ashpër dhe të duhet ca kohë të stërvitesh me ketë dhe në pranvere si partizani Velo do e kesh të vërtetë se kështu ka bërë dhe me mua. Damua nxorri me solemnitet një bust të Babos në allçi. Bëji dua tri herë në ditë këtij ky të bën ky të zhben. Tezja më origjinale “Kurbanin” të shkruar me filigramë la në dorë. Bela një grusht me dhe nga kantieret e reja. Po kjo mendoi i ziu do me mbulojë me të? E falenderoi po mbeti i keqkuptuar. Tao i la një zarf. Ishte një fotografi e Ditmarit.

Laerti një lotore të plasaritur bosh. Bujari i Lushnjës një kurth metalik për dhelpra. Ismet Beqiri një parfum bërë me djersen e mallakastrioteve. Gjeneral Kollçaku një helmete. Kur Petro Koçi me solemnitet i la poezitë e veta aty Klosi su mbajt më dhe ju kthye “po çi deshe pse u harxhove, kjo është tepër”. Petrua e qetësoi, “i kam shkruar për Babon, partinë dhe kundër ballisteve, të edukojnë ideologjikisht”. Fatmiri një qeleshe dhe një shall të kuq. Klosi i mallëngjyer mbajti një fjalim siç di ai të cilin e mbylli me fjalët “siç ta duan të mirën shokët e partisë nuk ta do as hasmi”!

Me mirë unë edhe pse ende në fazën e gabimeve si shoku ynë Tili në 36 vjetorin e atij qerrata Salianj pimë verë të mirë dhe lëvduam gjithë botën. Më pas një copë herë medituam mbi melankolinë e Jorushit të Tabakëve atë mjegull që botën e bën më të mistershme dhe fatin e Opozitës ku e ku më shumë. Pastaj Salianji tha boll medituam eja ikim. Grida më kishte thirrur në emision dhe duhej të bëhesha esëll se perënditë nuk të falin!

 

Fraksion.com