Familjarët e pengjeve të Hamasit hyjnë me forcë në parlamentin izraelit
Dhjetra familjarë të pengjeve që po mbahen nga Hamas hynë me forcë në mbledhjen e një komisioni parlamentar të hënën në Izrael duke kërkuar një marrëveshje që do të sigurojë lirimin e të dashurve të tyre.
Duke mbajtur pankarta, familjarët e pengjeve brohorisnin “Nuk do të rrini ulur këtu ndërkohë që ata po vdesin atje!”
“Këta janë fëmijët tanë!” thërrisnin ata. U desh që disa prej tyre të frenoheshin fizikisht dhe të paktën njëri prej tyre u nxorr përjashta.
Ky zhvillim është shenjë e trysnisë së shtuar ndaj Kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu. Para publikut izraelit ai po këmbëngul se ofensiva shkatërrimtare ndaj Gazës është mënyra e vetme për të siguruar lirimin e pengjeve. Njëkohësisht, ai ka refuzuar vizionin amerikan për një zgjidhje të pasluftës, duke deklaruar se nuk do të lejojë kurrë krijimin e shteti palestinez.
Mosmarrëveshjet rreth të ardhmes së Gazës e kanë vendosur Izraelin kundër aleatit të saj kryesor dhe shumicës së bashkësisë ndërkombëtare. Ky mospajtim paraqet edhe një pengesë serioze për planet e qeverisjes së Gazës pas luftës apo rindërtimit të territorit bregdetar, pjesë të së cilit janë bërë të pabanueshme për shkak të bombardimeve izraelite.
Ndërkohë, sulmet izraelite dhe bombardimet janë shtuar brenda dhe përreth qytetit Khan Yunis në Rripin e Gazës. Familje të tëra palestineze po ikin nga kjo pjesë për në jug.
Brenda qytetit, i cili është shndërruar në zonë luftimesh për javë të tëra, njerëzit hapën varre për të varrosur të vdekurit brenda oborrit të spitalit Al-Nasser ndërkohë që punonjësit e spitalit po mundoheshin t’u jepnin ndihmë dhjetëra të vrarëve dhe të plagosurve, në mesin e të cilëve edhe fëmijë. Sipas zyrtarëve shëndetësorë, të paktën katër shkolla në të cilat po strehoheshin të zhvendosurit nga pjesët tjera të qytetit, përfshirë zonat e shpallura si të sigurta, janë sulmuar.
Interneti dhe sinjalet e celularëve sërish u ndërprenë të hënën, për të dhjetën herë që nga fillimi i luftës. Ndërprerja e vazhdueshme, sipas zyrtarëve të OKB-së, po pengon rëndë shpërndarjen e ndihmave që janë jetike për popullatën 2.3 milionëshe të Gazës. Ajo po ashtu u pamundëson palestinezëve të komunikojnë me njëri tjetrin dhe me botën.
Kryeministri izraelit Netanyahu është zotuar se do ta vazhdojë ofensivën deri “në fitoren e plotë” kundër Hamasit dhe kthimin e pengjeve të rrëmbyera me 7 tetor gjatë sulmit të grupit militant në vendbanimet izraelite që nxiti luftën duke lënë 1200 të vdekur dhe duke rrëmbyer rreth 250 pengje.
Izraelitët janë gjithnjë e më të përçarë nëse është e mundur që të realizohet ndonjëri nga zotimet.
Rreth 100 pengje u liruan në nëntor përmes marrëveshjes një javore për armëpushim dhe shkëmbim të pengjeve me të burgosurit palestinezë që mbahen nga Izraeli. Rreth 130 vazhdojnë të mbahen peng, ndonëse një numër tyre janë konfirmuar të vdekur. Hamasi ka deklaruar se do të lirojë pengje vetëm në këmbim të përfundimit të luftës dhe lirimit të mijëra të burgosurve palestinezë.
Zoti Netanyahu ka përjashtuar një marrëveshje të tillë, por zemërimi i familjeve të pengjeve po rritet. Familjarët dhe protestuesit kanë vendosur një kamp tendash para rezidencës së zotit Netanyahu në Jerusalem, ku janë zotuar se do të qëndrojnë deri në arritjen e një marrëveshjeje.
Që nga 7 tetori, popullariteti i zotit Netanyahu ka shënuar rënie. Ai është nën trysni nga Shtetet e Bashkuara të ndryshojë strategjinë në favor të operacioneve ushtarake më të sakta dhe të bëjë më shumë për të lejuar depërtimin e ndihmës në Gazë.
Shtetet e Bashkuara po bëjnë thirrje gjithashtu që një Autoritet Palestinez i reformuar të qeverisë Gazën pas luftës dhe për fillimin e negociatave për një zgjidhje për krijimin e dy shteteve. Autoriteti Palestinez tani qeverisë disa zona të Bregut Perëndimor të okupuar nga Izraeli dhe është përjashtuar nga Gaza në vitin 2007 pas ardhjes së Hamasit në pushtet.
Kryeministri Netanyahu po refuzon të dyja idetë, kthimin e Autoritetit Palestinez edhe krijimin e shtetit palestinez. Koalicioni i tij qeverisës është nën diktatin e partive të ekstremit të djathtë që duan të ashpërsojnë ofensivën, të nxisin largimin e qindra mijëra palestinezëve nga Gaza dhe rivendosjen e vendbanimeve hebreje atje.
Fraksion.com