Lista Serbe: Vendimi i BQK-së për dinarin rrezikon mbijetesën e serbëve në Kosovë
Lista Serbe e ka cilësuar si “dëbim të serbëve” nga zonat ku ata jetojnë në Kosovë, vendimin e Bankës Qendrore që vetëm valuta euro të përdoret për kryerjen e transaksioneve me para të gatshme.
Sipas partisë kryesore të serbëve në Kosovë – që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – ky vendim, që do të hyjë në fuqi më 1 shkurt, do të pamundësojë që serbët të përdorin dinarin serb në Kosovë, duke thënë se kjo është e barasvlershme me dëbimin e tyre “nga këto zona pa përdorimin e armëve”.
“Pas të gjitha formave të dhunës institucionale që u përdorën kundër popullit serb nga regjimi autoritar i [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurtit dhe që nuk arriti t’i dëbojë të gjithë serbët nga Kosova, ai tani ka vendosur të ndalojë dinarin në Kosovë dhe kështu të kërcënojë drejtpërdrejt mbijetesën fizike të popullit serb”, u tha në reagimin e Listës Serbe.
BQK-ja miratoi një rregullore për operacionet për paratë e gatshme në të cilën u tha se valutat joeuro mund të përdoren vetëm për t’u ruajtur “në formë fizike apo në llogaritë bankare” dhe me to mund të kryen pagesa ndërkombëtare dhe këto valuta po ashtu mund të përdoren për këmbim.
Në Kosovë, në të gjitha vendbanimet me shumicë serbe, popullsia atje përdor dinarin serb për të kryer pagesa dhe ata që punojnë në institucionet serbe në Kosovë, i marrin edhe pagat me dinarë. Me dinarë paguhen edhe pensionet, sipas sistemit serb si dhe shtesat për fëmijë dhe ndihmat sociale.
Gjithçka që duhet të dini për temën më të diskutuar të javës do t’jua sjellim në tre minuta. Për t’i pranuar materialet në e-mailin tuaj, regjistrohuni këtu.
Gjithashtu, në zonat ku banojnë serbët, dinarët përdoren në objektet tregtare, ndërkaq në katër komunat me shumicë serbe në veri, çmimet janë me dinarë.
“Duke pasur parasysh se sa i rrezikshëm është ky vendim, zbatimi i tij do të shkaktonte spastrim klasik etnik të serbëve dhe joshqiptarëve të këtyre viseve”, tha Lista Serbe, duke shtuar se ky vendim duhet të jetë “alarm për përfaqësuesit ndërkombëtarë që të reagojnë urgjentisht”, në mënyrë që ai të mos nisë së zbatuari.
Deri më tani, dinarët në Kosovë qarkullojnë përmes kompanisë publike serbe “Posta e Serbisë” e cila vepron në vendbanimet e banuara me serb në Kosovë. Llogari në dinarë ka edhe në bankat “Postanska stedionica” (Kursimore e Postës) dhe “NLB Komercijalna banka”.
Dinarët kanë ardhur në Kosovë nga Serbia përmes Bankës Kombëtare të Serbisë, e cila ka një kasafortë në Leposaviq, komunë në veri të Kosovës e banuar me shumicë serbe. Paratë atje janë transportuar nga kompania e transportit të parave “Henderson”.
Në rregulloren e BQK-së u tha se importi dhe eksporti i kartëmonedhave dhe monedhave metalike euro dhe valutave të tjera në Kosovë është e drejtë ekzekutive e saj.
I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë për televizionin serb, Pink, se për përdorimin e dinarit në Kosovë ka biseduar me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, dhe për këtë çështje e ka njoftuar Brukselin./rel
Fraksion.com