AktualitetPolitikëTë fundit

Gonxhja: Kultura nuk mund të mbetet e ndarë nga dinamikat ekonomike e sociale

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja theksoi sot se do të vijojë me ndjekjen me sukses të projekteve të shumta në proces e hapjen e horizontit inovativ në kulturë.

Ai vlerësoi punën e ministres paraardhëse të Kulturës, Elva Margariti, duke theksuar se kontributi dhe vizioni i saj kanë vendosur standarde mjaft të larta në Ministrinë e Kulturës.

Ministri Gonxhja siguroi për mbështetje të promovimit të artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore.

“Përkushtohem të vijoj misionin për të çuar më tej arritjet e deritanishme në fushën e promovimit e mbështetjes së artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore! Rikthim i imi mes kolektivit të një ministrie ku kam drejtuar në vitet 1998 – 2000, që natyrisht sot e gjej në një stad krenues, 25 vjet më pas, ku së bashku me ekipin aktual dhe me mbështetjen e Kryeministrit Rama, do të punojmë për mirëmotivimin e të gjitha strukturave, informatizimin dhe modernizimin e aparatit qendror e të varësisë, prurjet e reja në ide e risi, si dhe për ndjekjen me sukses të projekteve të shumta në proces, e hapjen e horizontit inovativ në kulturë”, u shpreh Gonxhja në një postim në rrjetet sociale.

Kryeministri Edi Rama njoftoi pak ditë më parë krijimin e një ministrie të re , atë të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

“Lipset të kalohet sot në një qasje të integruar qeveritare në raport me sektorët e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, të cilat për fazën e re të zhvillimit ku sapo kemi hyrë, duhet të dalin nga kufijtë e ngushtë tradicionalë të qeverisjes së vendit dhe të ndërveprojnë ngushtësisht me njëra-tjetrën, sidomos në kushtet kur teknologjia digjitale ka hyrë si një fuqi e re e kohës në të gjitha fushat e jetës dhe kërkon drejtim strategjik, orientim qeverisës e koordinim ndërsektorial; kur kultura nuk mund të mbetet më një ishull i vogël e i ndarë nga dinamikat e reja ekonomike e sociale të vendit, mbi të cilat ajo ka një potencial të madh ndikues, e prej të cilave ajo mund të përfitojë shumë më tepër; kur vetë sektori i ekonomisë në tërësi kërkon një përmasë të re në frontin e qeverisjes”, u shpreh ai.

 

Fraksion.com