Çekia – Republika e armatosur
Ka një milion armë zjarri legale në qarkullim në Republikën Çeke. Kjo e bën vendin e vogël me dhjetë milionë banorë, një nga vendet me numrin më të madh të armëve private në Evropënpostkomuniste. Vetëm Kroacia, ku një nga luftërat më të përgjakshme pas-jugosllave u zhvillua në vitet 1990, është përpara Republikës Çeke për sa i përket posedimit të armëve.
Më shumë se treqind mijë njerëz në Republikën Çeke kanë licencë për armë zjarri. Vetëm pak prej tyre janë gjuetarë. Shumica e njerëzve zotërojnë një armë për mbrojtje personale. Numri i civilëve që zotërojnë armë është pothuajse gjashtë herë më i lartë se numri i ushtarëve dhe policëve çekë.
Deri më tani kjo nuk ka tërhequr shumë vëmendje dhe zërat e kundërshtarëve të armatimit të tillë masiv janë heshtur me argumentin se Republika Çeke është një nga dhjetë vendet më të sigurta në botë për sa i përket krimit të dhunshëm.
Amoku me 17 të vdekur
Por pak para Krishtlindjeve 2023, Republika Çeke u trondit nga një vrasje masive e paprecedentë në historinë moderne të vendit dhe ndër më të këqijat në Evropë në vitet e fundit. Vrasja ndodhi në Fakultetin Filozofik në Universitetin e njohur Karl në kryeqytetin Pragë, universiteti më i vjetër në vend dhe një nga më të vjetrit në botë.
Më 21 dhjetor 2023, një student qëlloi 14 persona në godinën e universitetit dhe plagosi rëndë 25 të tjerë. Pamjet e studentëve të frikësuar që iknin drejt çatisë së fakultetit bënë xhiron e botës.
Siç përcaktoi më vonë policia, autori kishte vrarë dy persona pak ditë më parë dhe kishte qëlluar edhe të atin pak para amokut. Kur e kapi policia, ai u vetëvra.
Gjatë hetimit të sulmit, policia zbuloi se autori kishte në pronësi të ligjshme tetë armë zjarri, pavarësisht se ishte trajtuar për probleme të shëndetit mendor në të kaluarën. Midis tyre ishte një pushkë automatike amerikane AR-15 dhe një mitraloz ushtarak çek Model 61 Skorpion. Për të blerë armët, autori ka marrë një hua në një bankë me vlerë rreth 40 mijë euro.
E drejta për posedimin e armëve – parashikohet me kushtetutë
Armët janë lehtësisht të disponueshme në Republikën Çeke. Vendi është tradicionalisht një nga prodhuesit dhe eksportuesit më të mëdhenj evropianë të armëve të vogla në mbarë botën. Në vitin 2022, Republika Çeke eksportoi armë në një vlerë totale prej rreth 1.2 miliardë euro.
Në vitin 2021, nën qeverisjen e kryeministrit Andrej Babish të lëvizjes ANO, e drejta për të poseduar dhe përdorur armë u përfshi në kushtetutën çeke, falë mbështetjes së partisë së atëhershme opozitare ODS.
Aty thuhet: “E drejta për të mbrojtur jetën e vet apo të një personi tjetër, qoftë edhe me armë, garantohet në kushtet e përcaktuara me ligj”. 100 mijë qytetarë nënshkruan një peticion në favor të ndryshimit kushtetues.
Ishte një përgjigje ndaj përpjekjeve të Bashkimit Evropian për të kufizuar posedimin e disa armëve. Në atë kohë disa deputetë protestuan kundër përcaktimit të së drejtës për armëmbajtje në kushtetutë. Por ata mbetën në pakicë.
Qeveria nuk dëshiron asnjë kufizim të mëtejshëm
Pas tronditjes së masakrës pak para Krishtlindjeve, u duk sikur disponimi po ndryshonte. “Po i vjen fundi licencave të armëve lehtësisht të arritshme,” shkroi Jan Kubita, një komentues për të përditshmen Hospodarske Noviny.
Ai bëri thirrje për rregullim dukshëm më të rreptë ligjor të posedimit të armëve. “Republika Çeke është ende një nga vendet më tolerante në BE në këtë drejtim. Kjo duhet të ndalet.”
Por qeveria nën kryeministrin Petr Fiala deri më tani nuk ka qenë në gjendje të shtrëngojë ligjet për armët. Rezistenca vjen kryesisht nga vetë partia e Fialës, ODS. Ministrja e Mbrojtjes Jana Cernohova është një nga mbështetësit më të zëshëm të së drejtës për të mbajtur dhe përdorur armë.
“Unë jam pronar i ligjshëm i disa armëve dhe nuk e fsheh faktin se hobi im përfshin zhytjen, historinë dhe qitje sportive”, shkroi ministrja e Mbrojtjes në rrjetin social X (ish-Twitter). Fatkeqësisht, “njerëz të çmendur, njerëz me probleme mendore, shoferë makinash apo pilotë të avionëve nuk mund të parandalohen të bëjnë ndonjë vepër”, tha ajo.
Tregtarët duhet të japin informacione
Por qeveria është e ndarë për këtë çështje. Zëvendëskryeministri Ivan Bartos, kreu i Partisë Pirate, bën thirrje për një debat mbi “masat sistematike për të parandaluar akte të tilla dhune dhe çdo manifestim dhune dhe urrejtjeje”.
Ai tha për DW se partia e tij mbron një debat për shpeshtimin e testeve të aftësisë për zotërimin e armëve dhe për kufizimin e posedimit të armëve me karikatorë të mëdhenj si dhe armëve të gjata. “Bazuar në përvojën nga jashtë, ne duhet të rregullojmë mbajtjen e armëve në publik, të kufizojmë numrin e armëve të licencuara për pronar ose të lidhim sistemin me regjistrin e kundërvajtjeve administrative”, tha Bartos.
Ministri i Brendshëm Vit Rakusan nga partia Stan bën gjithashtu thirrje për një diskutim rreth posedimit të armëve në Republikën Çeke. “Kjo ngjarje tragjike ka sjellë shumë pyetje legjitime në debatin social dhe ka tronditur ndjenjën e sigurisë,” u tha ai gazetarëve më 12 janar 2024.
“Ne po përpiqemi të gjejmë një ekuilibër dhe të mos hyjmë në debat në mënyrë histerike. Ne nuk duam që kjo të bëhet në kurriz të pronarëve përgjegjës të armëve.” Rakusan propozoi që t’u kërkohet tregtarëve të armëve që të raportojnë blerjet e dyshimta të armëve dhe municioneve në polici dhe të forcojë kontrollin psikologjik të mbajtësve të licencës së armëve. “Presioni nga shumica dërrmuese e popullsisë që nuk zotëron armë është legjitim”, shtoi ministri i Brendshëm çek.
Megjithatë, opozita e udhëhequr nga lëvizja ANO e ish-kryeministrit Babish, kundërshton ashpërsimin e ligjeve për armët. Prandaj është e diskutueshme, nëse do të jetë e mundur të kufizohet zotërimi i armëve në Republikën Çeke në të ardhmen e afërt./DW
Fraksion.com