“Autorët para përgjegjësive”, Aleanca e Grave Parlamentare: Dhuna ndaj Açkës tregon dëshpërim
Aleanca e Grave Parlamentare dënoi sot dhunën e ushtruar ndaj kryetares së Komisionit të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik, Flutura Açka si dhe ndaj deputeteve të tjera në këtë komision nga kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi dhe deputeti Flamur Noka.
“Aleanca e Grave Parlamentare dënon me ashpërsi dhunën dhe intimidimin e ushtruar dje në Komisionin e Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik ndaj kryetares Flutura Açka dhe kolegeve tona deputete anëtare në këtë komision!”, thuhet në një deklaratë për mediet e kësaj aleance.
“Dhuna është një akt që tregon dëshpërim. Përdoruesit e dhunës tregojnë hapur pamundësinë e tyre për të pranuar se ka mendim ndryshe, qëndrim ndryshe. Dhuna ndaj grave është të mos kuptosh më vetitë më të rëndësishme njerëzore dhe të futesh në një tunel errësire”, thuhet më tej në deklaratë.
Aleanca e Grave Parlamentare kërkon vënien para përgjegjësive të autorëve të kësaj dhune.
“Ne gratë deputete, shprehim indinjatë të thellë për atë që ndodhi dje si dhe për gjithë klimën e linçimit dhe përbaltjes së grave dhe kërkojmë vënien para përgjegjësive të autorëve të kësaj dhune”, vijon deklarata.
“Ne besojmë te politika e arsyes, e mendjes dhe e argumenteve të qarta dhe refuzojmë errësirën e së paarsyeshmes, dhunën që vjen si pasojë e mungesës së argumenteve”, thuhet në deklaratë.
Aleanca e Grave Parlamentare shpreson që Kuvendi të kthehet në shinat e normalitetit.
“Ne dënojmë aktet e dhunshme dhe shpresojmë që jo vetëm të mos përsëriten më, por Kuvendi të kthehet në shinat e normalitetit dhe të gjithë deputetët të bëjnë detyrën për të cilën qytetarët i kanë votuar”, thuhet më tej në deklaratë.
Aleanca e Grave Parlamentare i siguron qytetarët shqiptarë e në veçanti gratë shqiptare se do vijojnë të jenë zëri i tyre në Parlamentin e Shqipërisë dhe do të refuzojnë e përballen me çdo akt dhune dhe që frymëzon dhunë ndaj grave.
Fraksion.com