SHBA, anulohet debati presidencial i republikanëve
“ABC News” anuloi të martën debatin presidencial të republikanëve pasi Nikki Haley tha se nuk do të merrte pjesë nëse ish-presidenti Donald Trump nuk do të ishte i pranishëm në të, duke e lënë guvernatorin Ron DeSantis kandidatin e vetëm të angazhuar në ngjarjen e së enjtes në Nju Hempshër.
“Ne kemi patur pesë debate të shkëlqyera në këtë fushatë”, tha zonja Haley ndërsa ajo bënte fushatë në Nju Hempshër. “Fatkeqësisht, Donald Trump i ka mashtruar të gjithë. Nuk ka ku të fshihet. Debati tjetër që do të bëj do të jetë me zotin Donald Trump ose me presidentin Joe Biden.”
Deklarata e saj u publikua një ditë pas zgjedhjeve paraprake në Ajova, në të cilat zoti Trump shënoi një fitore të thellë ndaj zonjës Haley dhe zotit DeSantis. Zonja Haley doli e treta, duke humbur ndaj guvernatorit të Floridës Ron DeSantis në garën për vendin e dytë në Ajova.
Gjatë fushatës në Ajova, zonja Haley u përpoq të bindë republikanët se ajo ofron shansin më të mirë të republikanëve për të mposhtur demokratin Joe Biden në zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit, duke vënë në dukje të dhënat e anketimve, që e nxjerrin zonjën Haley me epërsinë më të madhe ndaj Presidentit Biden se sa kandidatët e tjerë republikanë.
“Qëllimi ynë ishte të organizonim një debat që do të pasonte zgjedhjet paraprake në Ajova, por ne e dinim që mbajtja e tij do të varej nga kandidatët dhe rezultati i garës”, tha në një deklaratë zëdhënësi i “ABC News”, Van Scott.
Vendimi i zonjës Haley mund të vë në dyshim edhe një debat tjetër në Nju Hempshër, që është planifikuar të organizohet nga rrjeti “CNN” të dielën./voa
Fraksion.com