Operacionet e përbashkëta me FRONTEX, Mahila: Deri 92% e imigrantëve të parregullt u kapën në pikat e hyrjes
Zv.ministri i Brendshëm Andi Mahila prezantoi risitë e projektligjit “Për Ratifikimin e Marrëveshjes, ndërmjet Shqipërisë e BE, për aktivitetet operacionale të Agjencisë Europiane e Rojës Kufitare dhe Bregdetare, FRONTEX, në Shqipëri”, në Komisionin parlamentar të Ligjeve, i cili e miratoi atë.
Mahila tha se kjo marrëveshje është propozuar nga BE, dhe parashikon që efektivët ushtrojnë kompetenca ekzekutive, në fushën e migracionit të paligjshëm dhe krimeve kufitare. Ajo pason marrëveshjen statutore të tetorit 2018, dhe kjo marrëveshje e zgjeron atë. Shqipëria ishte i pari vend në rajon që pranoi FRONTEX dhe sot, i pari vend që zgjeron objektin e marrëveshjes.
Zv.ministri shtoi se që prej fillimit të operacionit në 2019, pati eficencë në operacionet e përbashkëta të Policisë Kufitare dhe FRONTEX për parandalimin e migracionit të paligjshëm, identifikimin dhe goditjen e krimeve kufitare.
“Që prej fillimit të operacionit, ndërmjet 85% dhe 92% e imigrantëve të parregullt të kapur në vendin tonë, janë kapur në pikat e hyrjes, në zonën operacionale në Kapshticë dhe Kakavijë, ndërkohë që para fillimit të këtij operacioni, jo më shumë se 40% e të kapurve, kapeshin në pikat e hyrjes”, theksoi Mahila.
FRONTEX operon në Shqipëri prej 5 vitesh, në atë që njihet si kufiri i jashtëm i BE, në jug e juglindje të vendit, në kufirin me Greqinë. Marrëveshja e përmirësuar me FRONTEX hedh bazat e një bashkëpunimi edhe më cilësor e më të plotë me strukturat policore, pasi përmes këtij operacioni të përbashkët mund të adresohen më mirë çështjet e migracionit të parregullt drejt Shqipërisë.
Eficenca e operacionit është e dukshme edhe në shkëmbimin e informacionit, që ka rezultuar në goditjen e suksesshme të shumë grupeve kriminale të përfshira në kontrabandimin e imigrantëve, ku vlen të përmendet kontributi në zhvillimin e operacioneve të suksesshme policore “Perimetri” në Korçë dhe “Muzgu” dhe “RoadGuard” në Gjirokastër.
Ajo u nënshkrua në shtator 2023, nga Ministri i Brendshëm Taulant Balla për Shqipërinë dhe në emër të Bashkimit Europian nga Johannes Luchner, Zv.drejtor i Përgjithshëm për Çështjet e Brendshme në Komisionin Europian, si dhe Álvaro Renedo Zalba, Ambasador i Spanjës në Tiranë, vendi i të cilit mbante Presidencën e Këshillit të BE.
Fraksion.com