“Libri bombë”, Disfata e perëndimit: Ukraina e ka humbur luftën
Në librin e tij të fundit, që është publikuar në mënyrë të bujshme në Paris, vetëm pak ditë më parë, historiani dhe antropologu Emmanuel Todd bën diagnozën e “Disfatës së Perëndimit”. Një analizë që nis nga fakti se ShBA dhe BE e kanë humbur luftën e Ukrainës, si pasojë e paaftësisë së Shteteve të Bashkuara dhe Evropës për të mbështetur aq sa duhet Kievin.
Por, shkaqet janë shumë më të thella, shpjegon ai. Sipas Todd, të cilit Lapsi.al i ka botuar një intervistë të gjatë dhe një vit e gjysëm më parë (shih linkun poshtë), ato gjenden në mangësinë industriale të Shteteve të Bashkuara dhe, mbi të gjitha, në zhdukjen e fesë në shoqëritë perendimore.
Ai hedh poshtë akuzat për poutinofili apo zërat që e konsiderojnë si reaksionar. Ai bën një radiografi të imët të regjimit të Putinit, ndryshe nga sa e paraqesin mediat tradicionale. Në “Rënia finale”, librin e botuar në vitin 1976, autori ka parashikuar saktë kolapsin e Bashkimit Sovjetik, një dekadë e gjysëm para se të ndodhte realisht. Duhet të shpresosh që këtë herë, “profeti” Todd të jetë gabim.
Në librin tuaj ju konstatoni humbjen e perëndimit, ndonëse lufta ende nuk ka përfunduar…
Emmanuel TODD. – Lufta nuk ka mbaruar, por ama perëndimi ka dalë nga iluzioni i fitores së mundshme në Ukrainë. Kjo u duk pas kundërofensivës që dështoi këtë verë dhe konstatimit të paaftësisë së Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera të NATO-s, për të siguruar armë të mjaftueshme për Ukrainën. Për këtë vëzhgim edhe Pentagoni do binte dakord me mua.
Konkluzioni im për humbjen e Perëndimit bazohet në tre faktorë. Së pari, te mungesa industriale e
Shteteve të Bashkuara dhe zbulimi i karakterit fiktiv të GDP-së amerikane. Në librin tim, unë e shfryj këtë GDP dhe tregoj shkaqet rrënjësore të rënies industriale: formimin e pamjaftueshëm inxhinierik në SHBA dhe në përgjithësi rënien e nivelit arsimor të këtij vendi, që nga viti 1965 e këndej.
Më në thellësi, zhdukja e besimit protestant amerikan është faktori i dytë që ndikon në disfatën e Perëndimit.
Libri im është në thelb një vazhdim veprës së Max Weber, “Etika Protestante dhe Fryma e Kapitalizmit” (shkruar nga sociologu Max Weber në fillim të shekullit të shkuar-shënim Lapsi.al). Ai mendonte me të drejtë, në prag të luftës së parë botërore, se ngritja e Perëndimit kishte si faktor kryesor zhvillimin e botës protestante – nga Anglia, Shtetet e Bashkuara, Gjermania e bashkuar dhe Skandinavia.
Fati i Francës ishte që gjeografikisht u bashkua në këtë grup kryesor shtetesh. Protestantizmi kishte prodhuar një nivel të lartë arsimor, të paparë në historinë njerëzore, një alfabetizim universal, sepse ai kërkonte që çdo besimtar të ishte në gjendje ti lexonte vetë Shkrimet e Shenjta. Për më shumë, frika nga mallkimi, nevoja për tu ndierë i zgjedhur nga Zoti, nxitën
etikën e punës dhe moralin e fortë individual dhe kolektiv. Bashkë më këtë zhvillim protestantizmi solli edhe një anë negative, ai prodhoi disa nga racizmat më të këqinj që kanë ndodhur ndonjëherë,
atë – anti-zezak në Shtetet e Bashkuara ose atë anti-hebre në Gjermani – sepse duke i ndarë njerëzit, në të zgjedhur ose të mallkuar, protestantizmi hoqi dorë nga barazia mes tyre që predikonte katolicizmi.
Por, përparimi arsimor dhe etika e punës sollën një përparim të konsiderueshëm ekonomik dhe industrial.
Sot, mund të mendohet se në mënyrë simetrike, zbehja përfumndimtare e protestantizmit ka shkaktuar një rënie intelektuale, një zhdukje të etikës së punës dhe një lakmi masive (emri zyrtar: neoliberalizëm). Ashtu sikurse protestantizmi ndikoi në ngritjen e perëndimit, zhbërja e këtij besimi po shenjon edhe rënien e tij.
Kjo analizë e elementit fetar nuk dëshmon për asnjë nostalgji personale apo vajtim moralizues: ky është një vëzhgim historik. Për më tepër, racizmi i lidhur me protestantizmin gjithashtu u zhduk dhe Shtetet e Bashkuara patën presidentin e parë me ngjyrë, Obamën. Për këtë, së paku, mund të gëzojmë.
Dhe cili është faktori i tretë?
Faktori i tretë në humbjen e perëndimit është preferenca e pjesës tjetër të botës për Rusinë. Kjo ka zbuluar aleatë diskretë ekonomikë ngado. Një fuqi e re, e butë ruse, konservatore (anti-LGBT) filloi të funksiononte, kur u bë e qartë se Rusia po e përballonte mirë tronditjen ekonomike.
Vëzhgimi im si një antropolog dhe jo si moralist i prapambetur, është se moderniteti ynë kulturor duket, në fakt, mjaft i çmendur për botën përreth nesh. Dhe për më tepër, duke marrë parasysh se
ne jetojmë nga puna e papaguar e burrave, grave dhe fëmijëve të botës së tretë, morali ynë nuk është aspak i besueshëm.
Në këtë libër, i fundit që do të shkruaj, jam përpjekur ti i shpëtoj emocioneve dhe gjykimeve morale të përhershme duke synuar të ofroj një analizë të paanshme të situatës gjeopolitike. Jam rekur të shqyrtoj shkaqet e thella dhe afatgjata të luftës në Ukrainë.
A mund të flasim vërtet për luftë botërore? Dhe a mund të themi realisht se Rusia ka fituar? Mos jemi më tepër në një formë status quo-je…
Amerikanët me të vërtetë do të kërkojnë një status quo që do t’i lejonte ata të fshihnin humbjen e tyre. Rusët nuk do ta pranojë për dy arsye. Sepse ata janë të vetëdijshëm jo vetëm për epërsinë e tyre të tanishme industriale dhe ushtarake, por edhe sepse njohin dobësinë e tyre demografike.
Putini me siguri dëshiron të arrijë objektivat e luftës duke kursyer jetën e burrave në front dhe ai e përdor kohën në favor të tij.
Ai dëshiron ruajnë arritjet e stabilizimit të shoqërisë ruse. Ai nuk dëshiron ta rimilitarizojë Rusinë dhe është i prirur ta vazhdojë zhvillimin e saj ekonomik. Por nga ana tjetër ai e di mangësinë demografike dhe rënien e lindshmërisë, që do të ndikojnë te rekrutimi ushtarak, i cili, do të bëhet pas disa vitesh (tre, katër, pesë?) më i vështirë. Pra rusët duhet ta mundin Ukrainën dhe NATO-n tani, pa i lejuar asnjë pushim. Le të mos kemi iluzione. Përpjekjet ruse do të intensifikohen.
Refuzimi perëndimor për të kuptuar strategjinë afatgjatë ruse, me logjikën, arsyet, pikat e forta dhe kufizimet e saj, rezultuan një verbëri totale.
Në nivel ushtarak, më e keqja nuk ka ardhur ende për ukrainasit dhe perëndimorët. Rusia dëshiron pa dyshim të rikuperojë 40% të territorit ukrainas dhe të sigurojë një regjim neutral në Kiev. Por tek ne fjalët notojnë në mjegull. Në televizorët tanë, pikërisht në momentin kur Putin pohon se Odesa është një qytet rus, thuhet se fronti urkrainas po stabilizohet…
Për të demonstruar rënien e perëndimit, ju insistoni tek treguesit e vdekshmërisë foshnjore… Pse ka rëndësi kjo statistikë?
Duke vëzhguar rritjen e vdekshmërisë foshnjore ruse midis viteve 1970 dhe 1974, dhe ndërprerjen e publikimit të statistikave për këtë temë nga sovjetikët, unë gjykova se regjimi komunist atje nuk kishte të ardhme. (Emanuel Todd ka parashikuar rënien e Bashkimit Sovjetik që në mes të viteve 70 në librin “Rënia finale”, 1976). Prandaj besoj se ky është një parametër i cili e ka provuar veten. Shtetet e Bashkuara janë në këtë pikë prapa të gjitha vendeve perëndimore.
Keq janë skandinavët dhe Japonia. Kjo do të thotë, fare thjeshtë, se ajo që na thuhet për Rusinë është shpesh false: ne na e paraqesin atë si një vend të dështuar, duke theksuar aspektet e saj autoritare, por ne bëjmë sikur nuk shohim se ajo është në një fazë ristrukturimi të shpejtë. Rënia e saj ishte e dhunshme, ama rikthimi është mahnitës. Kjo shifër mund të ketë shpjegimet e saj, por ajo tregon para së gjithash, se duhet të pranojmë një realitet tjetër nga ai që na përcjellin mediat tona. Rusia është sigurisht një demokraci autoritare (e cila nuk i mbron aspak pakicat), ajo ka një ideologji konservatore, por shoqëria e saj po lëviz, po bëhet shumë teknologjike me gjithnjë e më shumë elemente që funksionojnë në mënyrë perfekte. Duke pranuar këtë realitet unë dua të përcaktohem si një historian serioz dhe jo si një Putinofil. Çdo Putinofob i përgjegjshëm duhet të informohet për kapacitetin e armikut të tij. Gjithashtu unë e theksoj vazhdimisht se edhe Rusia, absolutisht njësoj si perëndimi, të cilin ajo e paraqet si dekadent, ka të njëjtin problem demografik.
Legjislacioni Anti-LGBT i rusëve, edhe nëse ndoshta i pëlqen një pjese tjetër të botës, nuk i ka dhënë mundësi rusëve të lindin më shumë fëmijë se ne. Rusia, sa do që të përpiqet, nuk është imune ndaj krizës së përgjithshme të modernitetit. Nuk ekziston asnjë kundër-model rus.
Megjithatë, nuk është e pamundur që armiqësia e përgjithshme e Perëndimit ta strukturojë dhe ta armatosë me një patriotizëm përbashkues sistemin rus. Sanksionet i mundësuan regjimit rus nisjen e një politike proteksioniste në shkallë të gjerë, që ai nuk do të kishte mundur tu’a impononte rusëve në kushte të tjera. Kjo politike proteksioniste do t’i japë ekonomisë së tyre një avantazh të konsiderueshëm ndaj asaj të BE-së. Lufta vërtetë e përforcoi soliditetin e tyre shoqëror, por midis tyre ekziston edhe kriza individualiste. Individualizmi i shndërruar plotësisht në narcisizëm nuk zhvillohet veçanërisht në botën anglo-amerikane. Le të guxojmë të përdorim një neologjizëm: Rusia është një shoqëri e individualizmit të kontrolluar, si Japonia apo Gjermania.
Libri im ofron një përshkrim të stabilitetit rus, por, duke shkuar më në perëndim, ai analizon enigmën e një shoqërie ukrainase dikur të kalbur, së cilës lufta i ka dhënë një kuptim të ri për ekzistencën e saj.
Pastaj rrëfimi kalon te karakteri paradoksal rusofob i demokracive të vjetra popullore, më pas tek kriza e BE-së dhe në fund te kriza e Anglo-Saksonëve dhe skandinavëve. Ky marshim drejt perëndimit na bën të ecim, përpara, hap pas hapi, drejt zemrës së paqëndrueshmërisë së botës. Ajo është një zhytje në një vrimë e zezë. Protestantizmi anglo-amerikan ka arritur në një fazë zero të besimit, përtej fazës zombi, dhe kjo prodhon këtë vrimë të zezë. Ne SHBA, në fillim të mijëvjeçarit të tretë, frika nga zbrazëtia ka prodhuar hyjnizimin e asgjësë, pra nihilizmin.
Ju e lidhni rënien e Perëndimit me zhdukjen e fesë- veçanërisht protestantizmit – dhe ju datoni si fillimin e kësaj zhdukje daljen e ligjeve pro martesave gay…
Unë nuk kam dhënë asnjë mendim personal për këtë temë shoqërore. Unë nuk bëj veçse punën e një sociologu të fesë që ndihet shumë i lumtur për faktin se ka patur tregues të saktë për të përshkruar kalimin e fesë nga një gjendje zombie në një gjendje zero.
Në librat e mi të mëparshëm, kam prezantuar konceptin e një gjendje zombi të fesë: besimi është zhdukur por morali, vlerat dhe kapacitetet për veprim kolektiv të trashëguar nga feja vazhdojnë të ekzistojnë, shpesh të përkthyera në gjuhë ideologjike – nacionaliste, socialiste apo komuniste. Feja ka arritur, në këtë fillim të mijëvjeçarit të tretë, në një gjendje zero (koncept i ri), të cilin e kuptoj nga tre tregues – Unë jam gjithmonë në kërkim të treguesve statistikorë për të vlerësuar, si dukuritë morale ashtu edhe ato sociale:
Unë jam një fans i Durkheim-it, themeluesit të sociologjisë sasiore, madje më shumë se Max Weber. Në gjendjen prej zombi, njerëzit nuk shkojnë më në meshë, por sërisht vzhdojnë ti pagëzojnë fëmijët e tyre; zhdukja e pagëzimi është një tregues i dukshëm që sot kemi arritur në pikën zero. Në fazën e zombit, ne i varrosim ende të vdekurit, duke iu bindur kështu gjithnjë refuzimit të kishës për ti djegur trupat e tyre; sot, përhapja masive e incenerimit po bëhet zakon i përgjithshëm, më praktik dhe më i lirë, pra kemi arritur në fazën zero. Së fundi, martesa civile e periudhës zombi kishte të gjitha karakteristikat e martesave fetare të lashta – nje burrë, një grua, fëmijë që duhen edukuar. Me martesën e gjinive të njëjta, e cila nuk ka kuptim për fenë, ne shkëputemi nga gjendja zombi dhe falë ligjeve mbi martesën për të gjithë, ne kemi hyrë në gjendjen e re, zero, të fesë.
Me kalimin e kohës, a nuk jeni bërë ju pak më shumë reaksionar?
Unë jam rritur nga një gjyshe e cila më tregoi se, seksualisht, të gjitha shijet janë në natyrë dhe unë i qëndroj besnik paraardhësve të mi. Pra, “LGB”, mirë se vini. Për “T” në, pra transgjinorët është diçka tjetër. Individët në fjalë sigurisht që duhen mbrojtur.
Por fiksimi i shtresave të mesme perëndimore ndaj kësaj çështjeje ultra-minoritetar shtron një pyetje sociologjike dhe historike. Të vendosësh në horizontin social idenë që një mashkull mundet të bëhet me të vërtetë grua dhe një grua të kthehet në një burrë, do të thotë të pohosh diçka biologjikisht të pamundur, do të thotë të mohosh realitetin e botës, është si të pranosh një gënjeshtër. Ideologjia Trans është, për mendimin tim, një nga flamujt e nihilizmit që ka përfshirë tanimë Perëndimin. Ky impuls shkatërrimtar, nuk synon të zhbëjë sendet dhe njerëzit, por edhe vetë realitetin. Por, përsëri, as këtu, unë nuk jam aspak i mbingarkuar me indinjatë, apo emocione. Kjo ideologji ekziston dhe unë duhet ta integroj në të një model historik. Në kohën e metaverseve, nuk mund të them nëse këmbëngulja ime për realitetin më etiketon si një reaksionar./Intervistë për Le Figaro, përgatiti Lapsi.al
Fraksion.com