AktualitetBota+Të fundit

Kërkime për dy ushtarakë të forcave speciale të marinës amerikane të zhdukur në det

Anijet dhe avionët e Marinës së Shteteve të Bashkuara bënë kërkime në Gjirin e Adenit për dy anëtarët e forcave speciale të marinës, SEAL, ndërsa më shumë hollësi po bëheshin të ditura rreth misionit të tyre për të kapur një mjet detar, që transportonte pjesë këmbimi për raketat balistike iraniane me rreze të mesme, ndërsa lëvizte drejt Somalisë, thanë të hënën zyrtarët amerikanë të mbrojtjes.

Zyrtarët thanë se ekuipazhi në anijen me vela, që lundronte pa flamur, synonte t’i transferonte pjesët e raketave në det të hapur tek një anije tjetër në afërsi të bregdetit të Somalisë. Ndër pjesët në fjalë kishte mbushje të raketave dhe motorë. Anija ka një historik transportimi të paligjshëm armësh nga Irani drejt Somalisë, tha një zyrtar i marinës që foli në rrethana anonimiteti.

Forcat speciale SEAL gjendeshin në bordin e anijes luftarake USS Lewis B. Pullur dhe udhëtuan me avionë të posaçëm drejt anijes që duhej ndaluar. Ndërsa hipnin mes detit të trazuar, rreth orës 8 të mbrëmjes, njëri prej ushtarakëve u godit nga valët e fuqishme dhe një koleg u hodh në det pas tij. Të dy anëtarët e forcave speciale nuk u gjendën më.

Ekipi i forcave speciale u përball me rreth dymbëdhjetë anëtarë të ekuipazhit, të cilët u ndaluan dhe që rezultuan se nuk kishin asnjë dokumentacion. Pas inspektimit të anijes, armët u konfiskuan dhe anija u fundos – një procedurë standarte kjo në situata të ngjashme, që realizohet nëpërmjet hapjes së vrimave në trupin e anijes.

Mjetet detare amerikane në Gjirin e Adenit
Mjetet detare amerikane në Gjirin e Adenit

Zyrtarët amerikanë thanë se temperatura e ujërave në Gjirin e Adenit është e ngrohtë dhe ushtarakët e njësive speciale SEAL stërviten për të përballuar emergjenca të tilla. Të hënën, marina kishte nisur për operacione kërkimi anije, helikopterë dhe dronë.

Marina Amerikane ka bërë misione të rregullta interceptimi në këtë rajon, duke ndalur ndër të tjera edhe ngarkesa me armatime në anijet që furnizojnë huthitë e Jemenit, grup që gëzon mbështetjen e Iranit.

Zyrtarët thanë se misioni i forcave speciale të marinës, SEAL, nuk lidhej me misionin ndërkombëtar që synon t’u ofrojë mbrojtje anijeve tregtare në Detin e Kuq, apo me sulmet ndëshkimore që Shtetet e Bashkuara dhe Britania kanë bërë në Jemen gjatë dy ditëve të fundit./voa

 

Fraksion.com