AktualitetKosovaPolitikëRajoniTë fundit

Hasani: Serbia të ndalojë së dërguari ushtrinë në kufi me Kosovën

Duke e cilësuar si “lojë qesharake”, ministri për Evropë dhe Punë të Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani, i bëri thirrje Serbisë që të ndalojë së dërguari ushtrinë e saj në kufi me Kosovës.

Hasani, gjatë një konference të përbashkët për media në Prishtinë me homologen e tij kosovare, Donika Gërvalla, tha se siguria e Kosovës garantohet nga NATO.

“Bëjmë thirrje te të gjithë aktorëve dhe faktorëve që jetojnë në shekullin e 21-të, nuk i çohen ushtri fqinjit më te kufiri. Askush nuk duhet të bëjë më këtë lojën që është qesharake sepse të gjithë jemi të qartë se garancia më e madhe për integritetin dhe sovranitetin e Kosovës është NATO, ku dhe Shqipëria është pjesë”, tha Hasani.

Vitin e kaluar, pas rritjes së tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë, Beogradi zyrtar ka dërguar disa herë ushtrinë e saj pranë kufirit me Kosovën, gjë që ka nxitur Shtetet e Bashkuara t’i bëjnë thirrje që të tërhiqen trupat serbe.

Hasani, që po qëndron në Kosovë në vizitën e tij të parë zyrtare, foli për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit. Atë ditë, një grup serbësh të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës, duke vrarë një polic. Në përleshjet që pasuan u vranë edhe tre sulmues serb.

Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë, mori përgjegjësinë për sulmin.

Kosova ka fajësuar Serbinë, por Beogradi ka mohuar se ka gisht në ngjarjet në Banjskë.

Kryediplomati shqiptar bëri thirrje që përgjegjësit për sulmin, që ai e cilësoi terrorist, duhet të përballen me drejtësinë, pasi sipas tij, kjo është e domosdoshme “për të parandaluar një përshkallëzim me pasoja ndoshta të pakthyeshme”.

Homologia e tij kosovare, Donika Gërvalla, duke folur për Banjskën, sërish i bëri thirrje faktorit ndërkombëtar që të sanksionojë Serbinë.

“Mungesa e ndëshkimit bart në vetvete rrezikun e përsëritjes. Prandaj, jo vetëm për hir të paqes dhe sigurisë së Kosovës dhe qytetarëve të saj, por sidomos për hir të paqes dhe stabilitetit afatgjatë në gjithë rajonin tonë, bashkësia ndërkombëtare duhet të mos mbetet e heshtur, por të ndëshkojë ashpër çdo tentativë për të destabilizuar vendet fqinje”, tha ajo.

Sipas ministrit Hasani, siguria dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor “janë më të kërcënuara sesa në çdo moment tjetër gjatë dekadës së fundit”.

Të dy kryediplomatët u ndalën edhe te dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Hasani tha se më 26 tetor në Bruksel, Albin Kurti, pranoi “pa kushte” që të nënshkruajë Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve. Kryediplomati shqiptar tha se të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun e Brukselit.

“Ne u bëjmë thirrje partnerëve tanë ndërkombëtarë që të ruajnë këtë moment dhe të shtyjnë përpara drejt një përparimi përfundimtar”, tha Hasani.

Më 26 tetor, në takime të ndara, Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, u takuan me përfaqësuesit e BE-së, Francës, Gjermanisë dhe Italisë. Kryeministri kosovar ka deklaruar se në këtë takim ka pranuar propozimin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe ka qenë i gatshëm të nënshkruajë marrëveshje për normalizim të raporteve, por kjo është kundërshtuar nga lideri serb.

Gërvalla tha se me takimin e 26 tetorit, topi tashmë ka kaluar në fushën e BE-së.

“… topi ka kaluar te BE-ja dhe është radha e ndërmjetësuesve që të sjellin në tavolinë Serbinë me një qasje konstruktive për të nënshkruar marrëveshjet të cilat janë lidhur vitin e kaluar. As masat [ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës], as arsyetimet nuk mund të hedhin errësirë mbi faktin që topi që është te BE-ja duhet të lëvizë”, tha Gërvalla.

Marrëveshja në rrugën drejt normalizimit të raporteve është arritur në fillimin e vitit të kaluar, por palët nuk e kanë nënshkruar atë.

Marrëveshja për normalizim, prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

Serbia insiston që Kosova të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, por Qeveria në Kosovë është shprehur kundër një asociacioni njëetnik.

 

Fraksion.com