AktualitetPolitikëTë fundit

Hasani në konferencë me Gërvallën: Sulmi në Banjskë ishte akt terrorist, autorët duhet të dalin para drejtësisë

Ministri i Jashtëm Igli Hasani ka mbajtur një konferencë për shtyp me homologen e Kosovës, Donika Gërvalla. Hasani tha se sulmi i 24 shtatorit në Banjskë ishte akt terrorist dhe se Shqipëria e ka dënuar ashpër.

Hasani shtoi se autorët duhet të dalin para drejtësisë sa më parë për të mos lejuar një përshkallëzim më tej të situatës.

“Vizita ime është pjesë e një turi, pas Kosovës në Maqedoni dhe malin e zi. Turi ka për qëllim ndarjen e ideve për punën që duhet të bëjmë bashkë për të mirën e rajonit dhe qytetarëve tanë. Rajoni është duke kaluar një moment delikat. Siguria dhe stabilteti janë më të kërcënuara se sa në çdo moment tjetër gjatë dekadës së fundit. Kemi dënuar sulmin e 24 shtatorit. Ky sulm ishte një akt kriminal kundër stabilitetit pavarësisë ligjit dhe rendit të Kosovës. Autorët organizatorët duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të dalin para drejtësisë sa më parë për të mos lejuar një përshkallëzim më tej të situatës”, tha Hasani.

Kujtojmë se ministri i Jashtëm Igli Hasani ka nisur turin 3-ditor rajonal me vizitën në Kosovë. Hasani ka mbërritur në Kosovë që mbrëmjen e kaluar, ndërsa u ndal për një vizitë edhe në Kullën e heronjve Gërvalla.

Dita e sotme pritet të jetë e ngjeshur me takime për ministrin Hasani.

Fillimisht ai do të ketë një takim me homologen e tij, Donika Gërvalla që do të pasohet edhe me një konferencë për shtyp.

Më pas, Hasani do të pritet nga presidentja Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit Glauk Konjucfa e zv.Kryeministri Besnik Bislimi. Po ashtu, ministri ka planifikuar takime edhe me krerët e partive politike, Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj e Memli Krasniqi.

Në axhendë nuk është planifikuar takim me kryeministrin Albin Kurti, pasi ky i fundit ndodhet në Davos për forumin ekonomik.

Pas vizitës në Kosovë, Hasani do të shkojë në Shkup dhe më pas të enjten në Mal të Zi.

Turi synon të thellojë dhe konkretizojë më tej bashkëpunimin mes vendeve, si edhe zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të mira fqinjësore. Vizitat do të fokusohen në marrëdhëniet dypalëshe, çështjet e sigurisë dhe e ardhmja e rajonit në Bashkimin Evropian.

AXHENDA

09:00 Takim me Zëvendës Kryeministren dhe Ministres e Punët të Jashtme dhe Diasporës, znj. Donika Gërvalla

10:00-Konferencë për shtyp e ministrave Hasani dhe Gërvalla

10:25 – Takim me Presidenten e Republikës së Kosovës Sh.S. Vjosa Osmani Sadriu

11:15- Takim me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës Sh.T. Glauk Konjufca

14:15- Takim me Zëvendës Kryeministrin e Republikës së Kosovës z. Besnik Bislimi

15:00 – Takim me Kryetarin PDK, z.Memli Krasniqi

16:00- Takim me Kryetarin e LDK, z.Lumnir Abdixhiku

16:45- Vizitë në KFOR, takim me komandantin e KFOR

17:30- Takim me Kryetarin e AAK, z.Ramush Haradinaj

18:20- Takim me Kryetarin e lëvizjes Nisma, z.Fatmir Limaj

 

Fraksion.com