Hasani: Jemi në shek. 21 s’mund t’i çohet fqinjit ushtria në kufi! Kurti të pranojë pa asnjë kusht propozimet e BE-së
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Igli Hasani në një konferencë të përbashkët me homologen në Kosovë Donika Gërvalla, tha se Shqipëria do të jetë një aleat i përjetshëm dhe i padiskutueshëm i Kosovës. Duke ju referuar Serbisë, Hasani tha se në shekullin e 21 nuk mund t’i çohet ushtri fqinjit në kufi.
‘Kosova ka një aleat të përjetshëm dhe të padiskutueshëm siç është Shqipëria. Në çdo rast në të mirë në të keqe Shqipëria do të jetë këtu. Ne i ndjekim më vëmendje zhvillimet në veri të Kosovës u bëjmë thirrje të gjithë aktorëve dhe faktorëve që jetojnë në shekullin e 21 se nuk u çohet ushtri fqinjit në kufi. Ideja është e qartë se integriteti kryesor është NATO ku edhe Shqipëria bën pjesë.’- tha Hasani.
I pyetur në lidhje me lobimin për masat shtrënguese të BE-së ndaj Kosovës, Hasani tha se pranimi pa asnjë kusht i propozimeve të BE-së nga Kurti janë mënyra e vetme sesi Shqipëria e sheh angazhimin e Kosovës në faktorin ndërkombëtar.
‘Vizita ime nuk është vetëm për masa shtrënguese dhe liruese por për të dakordësuar për veprimet që do të kryejmë në mënyrë të përbashkët për vitin aktual. 2024 është një vit i rëndësishëm për të gjithë faktorin ndërkombëtar, Kosova po kryen detyrat e saj është një fakt i pamohueshëm që liberalizmi i vizave do ti japë një impakt të ri zhvillimit dhe përparimit jo vetëm ekonomik por edhe social të Kosovës. Pranimi pa asnjë kusht i propozimeve të BE-së nga Kurti janë mënyra e vetme sesi ne e shohim angazhimin e Kosovës në faktorin ndërkombëtar’- tha Hasani.
Fraksion.com