AktualitetNATO/BERajoniTë fundit

BE-ja dhe SHBA-ja “në të njëjtën linjë” për Ballkanin Perëndimor

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara janë në të njëjtën linjë sa i përket Ballkanit Perëndimor, tha i dërguari i bllokut për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Lajçak në Davos të Zvicrës u takua me ndihmësekretarin amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien.

Sipas të dërguarit të BE-së, ata biseduan për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Kam nisur javën në Davos me një takim O’Brien. Ishte e rëndësishme zhvillimi i kësaj bisede lidhur me Ballkanin në fillim të këtij viti. Ne duam të shohim rajonin duke lëvizur përpara dhe që qytetarët e tij të përfitojnë. Më vjen mirë që rikonfrmuam se ne jemi plotësisht në të njëjtën linjë”, shkroi Lajçak në X, që më herët njihej si Twitter.

 

Në punimet e Forumit Ekonomik Botëror, në Davos të Zvicrës po marrin pjesë edhe liderë të tjerë nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Një ditë më herët, Lajçak në Davos u takua me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, me të cilin bisedoi për tema të dialogut, me theks të veçantë nevojën për zbatimin e menjëhershëm të Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Marrëveshja Bazë u arrit shkurtin e kaluar në Bruksel, ndërkaq në mars në Ohër, palët u pajtuan për Aneksin e Zbatimit të kësaj marrëveshjeje. Por, BE-ja ka thënë se Marrëveshja në rrugën drejt normalizimit nuk ka nisur të zbatohet.

Marrëveshja për normalizim, prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

SHBA-ja, që mbështet dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, por edhe blloku evropian vazhdimisht i bëjnë Kosovës që të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, për të cilin palët janë pajtuar në dialog qysh më 2013.

Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

Në tetor të vitit 2023, përfaqësuesit e BE-së, SHBA-së, Gjermanisë, Francës dhe Italisë, ua paraqitën palëve, Kosovës dhe Serbisë, draft-statutin për formimin e Asociacionit, të cilin kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e pranuan në parim.

SHBA-ja, ndërkaq, vazhdimisht ka deklaruar se procesi i normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë. Serbia ka thënë se nuk do të pranojë pavarësinë e Kosovës./REL

 

Fraksion.com