AktualitetBota+Të fundit

OKB bën thirrje për 4.2 miliardë dollarë ndihmë humanitare për Ukrainën

Kombet e Bashkuara u kanë kërkuar donatorëve që gjatë këtij viti të japin 4.2 miliardë dollarë ndihmë humanitare për ukrainasit në shtetin e shkatërruar nga lufta dhe për ata që janë larguar nga shteti, përderisa pushtimi i paprovokuar rus i Ukrainës po i afrohet përvjetorit të dytë.

Mbi 14.6 milionë ukrainas brenda vendit, apo 40 për qind e popullsisë së përgjithshme, kanë nevojë për ndihmë humanitare gjatë këtij viti, tha zyra për Koordinim të Çështjeve Humanitare (OCHA).

Lufta po ashtu ka detyruar rreth 6.3 milionë ukrainas që të gjejnë strehim jashtë vendit, ndërkaq në fund të vitit 2023, 5.9 milionë refugjatë ishin strehuar në Evropë, tha OCHA përmes një njoftimi.

“Qindra mijëra fëmijë jetojnë në komunitetet në frontet e luftës, të tmerruar, traumatizuar dhe pa nevojat elementare. Vetëm ky fakt na bën ne që të bëjmë gjithçka që të dërgojmë më shumë ndihmë humanitare për Ukrainën”, tha shefi i OCHA-s, Martin Griffiths.

Që nga nisja e këtij viti, Ukraina po përballet me një fushatë intensive të sulmeve ajrore ruse, duke vështirësuar edhe më shumë jetën e civilëve.

“Në rajonet e Donjeckut dhe Harkivit, strehimoret në shtëpitë e dëmtuara nuk janë furnizim me ujë, gaz e as rrymë. Bombardimet e vazhdueshme po i detyrojnë banorët që t’i kalojnë ditët e tyre në bodrume”, tha ai.

Agjencia për ndihmë e OKB-së tha se 3.1 miliardë dollarë, apo 75 për qind e shumës së përgjithshme, do të dërgohej për të ndihmuar 8.5 milionë persona brenda Ukrainës, ndërkaq 1.1 miliardë për të ndihmuar refugjatët në shtetet ku janë strehuar.

 

Fraksion.com