AktualitetBota+Të fundit

Koreja e Veriut teston një raketë hipersonike

Koreja e Veriut tha se ka testuar një raketë të re me rreze të mesme veprimi, që operon me lëndë djegëse të ngurta, e pajisur me një kokë bërthamore hipersonike, përderisa Peniani po synon të dizajnojë armë më të fuqishme që mund të godasin caqet e largëta amerikane në rajon.

Njoftimi i 15 janarit nga media shtetërore e Koresë së Veriut vjen një ditë pasi ushtritë e Koresë së Jugut dhe Japonisë detektuan lëshimin e një rakete nga një zonë afër kryeqytetit verikorean, Penian. Ky ishte testimi i parë balistik i Veriut më 2024.

Lëshimi i raketës vjen dy muaj pasi Koreja e Veriut tha se me sukses ka testuar motorët e një rakete balistike me rreze të mesme veprimi që operon me lëndë djegëse të ngurta. Ky njoftim paraqet një avancim të armëve verikoreane që mund të shënjestrojnë bazat ushtarake amerikane në Guam dhe Japoni.

Agjencia Qendrore e Lajmeve të Koresë së Veriut (KCNA) tha se testimi i së dielës synonte të verifikonte besueshmërinë e motorëve me lëndë të ngurta dhe aftësitë manovruse të kokës hipersonike. KCNA tha se testimi u krye me sukses, por nuk dha më shumë detaje.

Ushtria e Koresë së Jugut tha se raketa fluturoi rreth 1.000 kilometra para se të binte në ujërat në mes të Gadishullit Korean dhe Japonisë.

Raketat ekzistuese balistike të Veriut me rreze të mesme veprimi përfshijnë edhe raketën Hwasong-12 dhe ato mund të jenë në gjendje të arrijnë qendrën e ushtrisë amerikane në Guam në Paqësor.

Raketat që ndërtohen me shtytës që funksionojnë me lëndë të ngurta mund të lëshohen më shpejt dhe lëvizin më lehtë dhe teknikisht ua bëjnë më të vështirë armiqve që t’i detektojnë ato.

Që nga viti 2021, Koreja e Veriut ka testuar koka hipersonike, që janë pesë herë më të shpejta sesa shpejtësia e zërit. Nëse Veriu perfeksionon këto armë, sisteme të tilla potencialisht mund të paraqesin sfidë për sistemet mbrojtëse kundëraketore në rajon, për shkak se këto lloje armësh kanë shpejtësi të madhe dhe janë të afta të manovrojnë.

Tensionet në Gadishullin Korean janë në nivelin më të lartë në vitet e fundit pasi lideri verikorean, Kim Jong Un, intensifikoi demonstrimin e armëve. SHBA-ja dhe aleatët u janë kundërpërgjigjur testimeve verikoreane me forcimin e stërvitjeve të tyre të përbashkëta ushtarake.

 

Fraksion.com