Përveç raketave Javelin, Kosova kërkon të blejë edhe armë të tjera
Ministria e Mbrojtjes e Kosovës bëri të ditur se ka bërë kërkesë për blerjen edhe të armëve të tjera, përveç 246 raketave kundërtanke të tipit Javelin që janë kërkuar të blihen nga SHBA-ja.
Por, këshilltarja politike e ministrit të Mbrojtjes së Kosovës, Liridona Gashi, tha për REL-in se nuk mund ta zbulojë se çfarë lloj armatimi tjetër po kërkohet nga Kosova “për shkak se kjo përbën informacion të klasifikuar”.
Ajo sqaroi se kërkesa për të blerë raketat Javelin është bërë sipas një plani paraprak për t’i përmbushur nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe nuk është shkaktuar nga incidentet në veri të Kosovës, edhe pse shtoi se “sulmi terrorist në Banjskë, si dhe kërcënimet e vazhdueshme nga Serbia janë një shqetësim”.
“Furnizimi me armë do të thotë investim në përmbushjen e misionit kushtetues të FSK-së, në mbrojtjen e territorit të Kosovës dhe në garantimin e sigurisë për të gjithë qytetarët tanë”, tha Gashi, duke përsëritur qëndrimin e dhënë nga Uashingtoni zyrtar se “stabiliteti në Evropë do të rritet”.
Kosova akuzoi Serbinë për sulmin në Banjskë të Zveçanit, në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, më 24 shtator të vitit të kaluar, kur u vra një polic. Beogradi i mohoi këto akuza.
Përgjegjësinë për sulmin e mori Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, që ka mbështetjen e Beogradit.
Bashkësia ndërkombëtare e dënoi ashpër sulmin në Banjskë dhe kërkoi që autorët të vihen para drejtësisë. Në ditët pas sulmit, Policia e Kosovës gjeti një arsenal armësh dhe pajisje të tjera të lëna pas nga një grup i armatosur serb