AktualitetTë fundit

Ilir Beqaj paraqitet sërish në SPAK për t’u marrë në pyetje!

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj në hetim për koncesionin e sterilizimit të seteve kirurgjikale, është paraqitur mëngjesin e sotëm në orën 09:00 sërish për t’u marrë në pyetje nga SPAK. Beqaj ishte i shoqëruar nga avokati i tij.

Ish-ministri Ilir Beqaj është në hetim edhe për abuzimet te SASPAC, Agjencia e koordinimit të fondeve të huaja. Të martën (9 janar), Ilir Beqaj u mor në pyetje për rreth 9 orë për koncesionin e sterilizimit.

Në dalje nga SPAK ku u shoqërua nga avokati Ermal Yzeiraj, në një prononcim për mediat, Beqaj tha se seancat e marrjes në pyetje do të vijojnë ndërsa përsëriti sërish kërkesën ndaj SPAK, që të administrohen të plota materialet e raportit të e auditit të KLSH-së. Teksa i konsideroi hetimet komplekse, nënvizoi se është e nevojshme që të shtrihen më herët se dhënia e koncesionit nga marsi i vitit 2011 deri në shtator të vitit 2013.

Ndaj ish-ministrit Gjykata e Posaçme caktoi në nëntor 2023 masën detyrim paraqitje dy herë në muaj në prokurori, për akuzën shpërdorim detyre. Hetimi bën fjalë për shkeljet e pretenduara nga SPAK, në koncesionin e sterilizimit me vlerë 100 milionë euro dhe afat 10-vjeçar, të fituar nga biznesmeni Ilir Rrapaj tashmë i arrestuar bashkë me ish-zv.ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj. Beqaj gjithashtu është person nën hetim për çështjen e check -up dhe disa ditë më parë iu kontrollua banesa pasi ka dyshime se ka abuzuar edhe me fondet e SASPAC.

 

Fraksion.com