Hezbollahu raporton për një sulm vdekjeprurës ajror izraelit
Hezbollahu tha se si pasojë e një sulmi ajror izraelit në një qendër shëndetësore që udhëhiqet nga ky grup militant janë vrarë dy punonjës shëndetësorë dhe janë plagosur disa të tjerë.
Sulmi i 11 janarit në fshatin kufitar mes Libanit dhe Izraelit, Hanine, goditi një qendër shëndetësore që udhëhiqet nga Organizata Islamike e Shëndetësisë e Hezbollahut.
Zyra për media e Hezbollahut tha se sulmi ishte “një agresion flagrant ndaj qendrës ku trajtohen qytetarët libanezë të plagosur nga agresioni i vazhdueshëm izraelit”.
Ushtria izraelite ende nuk ka komentuar për këtë ngjarje.
Tensionet janë rritur në kufirin mes Izraelit dhe Libanit, që kur Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – sulmuan jugun e Izraelit, duke nxitur luftën në Gazë.
Hezbollahu, aleat i Hamasit, ka sulmuar caqet ushtarake izraelite përgjatë kufirit. Po ashtu, Izraeli ka kryer sulme ajrore dhe granatime me artileri ndaj Hezbollahut.
Dhuna ka lënë të vrarë të paktën 20 civilë në Liban dhe mbi 150 anëtarë të Hezbollahut.
Fraksion.com