Diplomacia ekonomike, pritet nënshkrimi i 20 marrëveshjeve të reja për sigurimet shoqërore në 2024-ën
Zgjerimi i kuadrit të bashkëpunimit ekonomik ndërshtetëror dhe ndërinstitucional me vendet partnere dhe me potencial zhvillimi ishte një nga prioritetet kryesore të Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme për vitin 2023.
Ndërkohë MEPJ konfirmon se edhe për këtë vit diplomacia ekonomike do të vazhdojë të jetë fokusi kryesor.
“Shërbimi i jashtëm do të punojë në mënyrë proaktive për të krijuar partneritete të reja ekonomike e për të tërhequr sa më shumë projekte e investime të huaja”, thuhet në një njoftim të MEPJ-së.
Për vitin 2024 pritet nënshkrimi i 20 marrëveshjeve të reja për sigurimet shoqërore, si dhe promovimi i eksportit të produkteve “Made in Albania”.
Ndërkohë gjatë vitit 2023 diplomacia ekonomike u fokusua ndër të tjera në zgjerimin e kuadrit të bashkëpunimit ekonomik ndërshtetëror dhe institucional me vende partnere dhe me potenciale zhvillimi.
Po ashtu në fokus kanë qenë promovimi dhe tërheqja e investimeve të huaja në sektorët strategjikë të vendit, rritja e eksporteve, nxitja e partneriteteve të biznesit me homologë si dhe promovimi i kompanive dhe produkteve shqiptare.
Gjatë vitit që shkoi janë mbajtur Komisionet e Bashkëpunimit Ekonomik Ndërqeveritar me Poloninë, Azerbajxhanin dhe Italinë.
Gjithashtu u nënshkruan edhe marrëveshjet për sigurimet shoqërore me Bullgarinë, Kroacinë dhe Malin e Zi. Ndërkohë është në prag finalizimi marrëveshja për sigurimet shoqrërore me Italinë, si dhe vijojnë bisedimet teknike me Serbinë, Greqinë, Poloninë, Spanjën dhe Moldavinë.
Fraksion.com