Gjykata e lartë e OKB-së hapi seancat mbi pretendimet e Afrikës së Jugut se Izraeli po kryen gjenocid në Gazë
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë hapi të enjten dy ditë argumentimesh ligjore në një rast të ngritur nga Afrika e Jugut e cila akuzon Izraelin për gjenocid në Gaza. Izraeli e hedh poshtë akuzën.
Juristët e Afrikës së Jugut po u kërkojnë gjykatësve që të vendosin urdhra paraprak detyrues ndaj Izraelit, duke përfshirë një ndalim të menjëhershëm të fushatës ushtarake të Izraelit në Gaza.
Para hapjes së procesit, qindra protestues pro-izraelitë parakaluan para ndërtesës së gjykatës me parulla ku shkruhej “Sillini në shtëpi”, duke iu referuar pengjeve që ende mbahen nga Hamasi. Pjesëmarrësit mbanin flamuj izraelitë dhe holandez.
Jashtë gjykatës, po ashtu grupe pro palestineze po protestonin në mbështetje të veprimit të Afrikës së Jugut.
Çështja godet në zemër të identitetit kombëtar të Izraelit si një shtet hebre i krijuar pas gjenocidit nazist të Holokaustit.
Ajo përfshin gjithashtu identitetin e Afrikës së Jugut ku partia qeverisëse, Kongresi Kombëtar Afrikan, ka krahasuar prej kohësh politikat e Izraelit në Gaza dhe Bregun Perëndimor me historinë e tij nën regjimin e aparteidit.
Ndonëse i konsideron gjykatat e OKB-së dhe ato ndërkombëtare të padrejta dhe të njëanshme, Izraeli ka dërguar një ekip të fortë ligjor për të mbrojtur operacionin e tij ushtarak të nisur pas sulmeve të 7 tetorit nga Hamasi.
“Unë mendoj se ata janë paraqitur sepse duan të shfajësohen dhe mendojnë se mund t’i rezistojnë me sukses akuzës për gjenocid”, tha Juliette McIntyre, një eksperte për të drejtën ndërkombëtare në Universitetin e Australisë Jugore.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu publikoi një video deklaratë të mërkurën mbrëma duke mbrojtur veprimet e vendit të tij.
“Izraeli nuk synon të pushtojë përgjithmonë Gazën ose të zhvendosë popullsinë e saj civile”, tha ai. “Izraeli po lufton terroristët e Hamasit, jo popullsinë palestineze, dhe ne po e bëjmë këtë në përputhje të plotë me ligjin ndërkombëtar”.
Ai tha se ushtria izraelite “po bën të pamundurën për të ulur numrin e viktimave civile, ndërsa Hamasi po bën çmos për t’i rritur ato duke përdorur civilët palestinezë si mburoja njerëzore”.
Në një deklaratë pas paraqitjes së çështjes në fund të vitit të kaluar, ministria e Jashtme e Autoritetit Palestinez i kërkoi gjykatës që “të ndërmarrë menjëherë veprime për të mbrojtur popullin palestinez dhe t’i bëjë thirrje Izraelit, fuqisë pushtuese, të ndalojë sulmin e tij kundër popullit palestinez, për të siguruar një zgjidhje objektive ligjore”.
Seancat dëgjimore paraprake filluan me jursitët e Afrikës Jugut që shpjeguan pse ky vend ka akuzuar Izraelin për “veprime dhe mosveprime” që kanë “karakter gjenocidal” në luftën e Gazës dhe përse po kërkon që gjykata të lëshojë një urdhër të përkohshëm për ndalimin e menjëhershëm të veprimeve ushtarake të Izraelit. Një vendim i mundshëm ka të ngjarë të marrë disa javë.
Ofensiva e Izraelit ka lënë pas vetes më shumë se 23,200 palestinezë të vrarë në Gaza, sipas ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e drejtuar nga Hamasi. Rreth dy të tretat e të vrarëve janë gra dhe fëmijë, thonë zyrtarët shëndetësorë. Të dhënat nuk bëjnë dallim mes luftëtarëve dhe civilëve.
Në sulmin e 7 tetorit, luftëtarët e Hamasit sulmuan disa komunitete në Izrael duke vrarë rreth 1200 veta, kryesisht civilë. Ata rrëmbyen rreth 250 të tjerë, gati gjysma e të cilëve janë liruar.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, e hodhi poshtë rastin si “të pabazuar” gjatë një vizite të martën në Tel Aviv.
“Është veçanërisht e hidhur, duke pasur parasysh se ata që po sulmojnë Izraelin; Hamasi, Hezbollahu, Houthit, si dhe mbështetësi i tyre Irani, vazhdojnë të bëjnë thirrje për shkatërrimin e Izraelit dhe vrasjen masive të hebrenjve”, tha ai.
Gjykata, e cila vendos për mosmarrëveshjet midis kombeve, nuk e ka gjykuar kurrë një vend si përgjegjës për gjenocid. Vendimi më i përafërt ishte ai i vitit 2007 kur vendosi se Serbia “shkeli detyrimin për të parandaluar gjenocidin” në masakrën e korrikut 1995 nga forcat serbe të Bosnjës ndaj më shumë se 8,000 burrave dhe djemve myslimanë në enklavën boshnjake të Srebrenicës.
Gjykata Ndërkombëtare Penale, me seli disa kilometra më tutje në Hagë, ndjek penalisht individë për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid.
Afrika e Jugut “do ta ketë të vështirë të kalojë pragun” e argumentimit të gjenocidit, tha zonja McIntyre.
“Nuk është thjesht çështje e vrasjes së një numri të madh njerëzish”, tha ajo në një përgjigje përmes postës elektronike për agjencisë e lajmeve Associated Press. “Duhet të ketë një qëllim për të shkatërruar një grup njerëzish (të klasifikuar sipas racës ose fesë për shembull) tërësisht ose pjesërisht, në një vend të caktuar”.
Në një dokument të hollësishëm prej 84 faqesh, Afrika e Jugut argumentoi se Izraeli e ka demonstruar një qëllim të tillë.
Çështja sillet rreth konventës mbi gjenocidin që u hartua në vitin 1948 pas Luftës së Dytë Botërore dhe vrasjes së 6 milionë hebrenjve përgjatë Holokaust. Si Izraeli ashtu edhe Afrika e Jugut janë nënshkrues.
Argumentimeve të sotme të Afrikës së Jugut, Izraeli pritet t’u përgjigjet të premten./voa
Fraksion.com