AktualitetPolitikëTë fundit

Bardhi: Edi Rama nuk ka interes të bëjë asnjë reformë që i shërben qytetarëve shqiptarë

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi u shpreh sot se “Shqipëria ka nevojë për një reformë zgjedhore reale, konsensuale dhe gjithëpërfshirëse që adreson të gjitha rekomandimet e OSBE-ODIHR dhe që krijon kushtet e barabarta të garës reale për çdo palë politike në zgjedhje”.

Bardhi reagoi pas deklaratave të kryeministrit Rama nga Lezha, lidhur me miratimin në Kuvend të reformave që kërkojnë 84 vota, siç është edhe reforma zgjedhore.

Sipas tij, “Edi Rama nuk ka interes të bëjë asnjë reformë që i shërben qytetarëve shqiptarë”.

“Pohimi në publik se po djeg me vetëdije Komisionin e Reformës Zgjedhore që të mos u japë shqiptarëve një reformë konsensuale dhe gjithëpërfshirëse që garanton standardet minimale për zgjedhje të lira dhe të ndershme, tregon edhe njëherë mendësinë e rrezikshme antidemokratike që ka Kryeministri i Shqipërisë për të mbajtur pushtetin me mjete antidemokratike”.

Sipas tij, “deklaratat e sotme të Edi Ramës provojnë edhe njëherë sesa e drejtë është beteja e opozitës në Kuvend”.

 

Fraksion.com