Ashpërsimi i masës ndaj Sali Berishës, zbardhet vendimi i GJKKO: Krijoi mosbindje ndaj autoritetit të gjykatës
JKKO ka zbardhur sot vendimin për Sali Berishën, raport i cili pritet që nesër të tërhiqet nga avokatët e tij dhe t’i dorëzohet ish-kryeministrit.
Gazetarja Klodiana Lala bën me dije se në këtë vendim ndër të tjera thuhet se Berisha nuk ka respektuar ligjin, teksa zgjodhi që të mos paraqitej në Gjykatë, sipas masës që ishte caktuar më herët, duke krijuar mosbindje ndaj autoritetit të gjykatës.
Po ashtu thuhet se për shkak të funksioneve dhe influencës së personave të tjerë, mund të ndërhyjë dhe të prishë e asgjësojë provat.
Pretendimet e shtetasit nën hetim Sali Berisha lidhur me masat e sigurimit të caktuara ndaj tij nga ana e gjykatës, nuk duhet të ishin të orientuara drejt mosrespektimit të tyre, e cila eventualisht ka formuar mosbindjen ndaj autoritetit gjyqësor, por në çdo rast, bazuar në rregullat e normuara të procedurës penale, ndaj tyre mund të ushtrohet ankim në një gjykatë më të lartë.
Për më tepër, nga ana e personit nën hetim Sali Berisha, nuk është paraqitur asnjë arsye e qenësishme që të justifikojë shkeljen e detyrimeve të përcaktuara në vendimet e gjykatës.
Pretendimi i kërkuesit se arsyeja e moszbatimit të vendimit të gjykatës, lidhet me argumentimin se duhet të ishte dhënë autorizim nga Kuvendi i Shqipërisë për heqjen e lirisë së tij, para se të caktoheshin masat e sigurimit të parashikuara nga nenet 233 dhe 234 të K.Pr.Penale, nuk qëndron, për sa kohë ligji ka parashikuar në mënyrë të qartë të drejtat dhe detyrimet e palëve në këtë situatë faktike: të drejtën e ankimit ndaj vendimit të gjykatës, por edhe detyrimin për ta zbatuar atë.
Fraksion.com